Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar rrënjësisht rrjedhën e procesit gjyqësor për dosjen voluminoze të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Përmes një vendimi të shpallur sot në Tiranë, trupi gjykues i shkallës së dytë ka rrëzuar akuzat kryesore të SPAK për katër nga të pandehurit, duke shpallur të pafajshme ish-drejtoreshën e përgjithshme, Sonila Qato, si dhe tre zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Vendimi i rëndësishëm u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi, Engert Pëllumbi dhe Tereza Merkaj.
Apeli ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë sa i përket akuzës për "Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", duke argumentuar se për të pandehurit Simon Prendi, Elona Gogo, Erdit Salillari dhe ish-drejtoreshën Sonila Qato, fakti i hetuar nuk përbën vepër penale sipas Kodit të Procedurës Penale.
Ndërkohë, trupi gjykues ka vendosur të lërë në fuqi masat e mëparshme për pjesën tjetër të dosjes që lidhet me veprën penale të falsifikimit, teksa shpenzimet gjyqësore të këtij procesi i kanë kaluar shtetit.
Ky vendim përfaqëson një kthesë të fortë nga ajo që Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë (GJKKO) kishte vendosur vitin e kaluar për ish-drejtuesen e ARRSH-së. Në gjykimin e parë, Sonila Qato ishte deklaruar fajtore për të njëjtën akuzë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim.
Megjithatë, asokohe gjykata kishte aplikuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit me kusht, duke e konvertuar atë në 60 orë punë pa shpërblim në interes publik nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, si dhe i kishte hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej një viti.
Me vendimin e ri të Apelit, ky dënimi ndaj saj dhe detyrimet shoqëruese bien tërësisht poshtë. Dosja në fjalë ka qenë mjaft komplekse dhe përfshinte gjithsej 10 persona, mes të cilëve zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë si Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Admir Pahumi, Simon Prendi, Elona Gogo, Erdit Salillari, Sonila Qato, Arbër Troka, Almir Hoxhaj dhe Arjana Hasani.
Duhet theksuar se një pjesë e këtyre emrave të përfshirë në hetimin e Prokurorisë së Posaçme kishin arritur të merrnin pafajësi edhe që në përballjen e parë në Gjykatën e Shkallës së Parë, ndërsa sot procesi mori një tjetër formë për grupin e dytë të zyrtarëve të ARRSH-së.