Policia e Shkodrës ka arrestuar 51-vjeçarin Prelë Gjoni, i dyshuar se së bashku me dy persona të tjerë ka dhunuar fizikisht gazetarin Ervin Dushi, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në qytet.
Gjoni, i cili është pronar i rrjetit të marketeve “Xhedis” në Shkodër, është ndaluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më datë 18.05.2026, rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg”, ku dyshohet se 51-vjeçari ka goditur me grushte gazetarin 46-vjeçar Ervin Dushi, për shkak të detyrës së tij.
Ndërkohë, dinamika e plotë e konfliktit mbetet ende e paqartë. Gazetari Ervin Dushi pretendon se ngjarja lidhet me një denoncim të mëhershëm të bërë prej tij në mbështetje të një ish-punonjëseje të kompanisë në pronësi të Gjonit, e cila kishte pasur mosmarrëveshje me drejtuesin e biznesit, denoncuar fillimisht në redaksinë tonë.
Nga ana tjetër, Prelë Gjoni ka mohuar publikisht akuzat, duke deklaruar se nuk e ka goditur gazetarin.
Ervin Dushi aktualisht jeton në Suedi dhe punon si freelancer, duke u angazhuar kryesisht me denoncime dhe publikime në rrjetet sociale. Ai ka qenë më herët gazetar në emisionin investigativ, deri në vitin 2010. Po ashtu, para largimit nga Shqipëria, banesa e tij është dëmtuar nga një shpërthim me tritol.
Hetimet për rastin vijojnë.