Personi në foto është 56-vjeçarja shqiptare Donike Gocaj, e cila humbi jetën tragjikisht në Manhattan të New York-ut pasi ra në një pusetë të hapur pranë makinës së saj. Ngjarja ndodhi pak para mesnatës së të hënës, ndërsa ajo kishte dalë nga automjeti dhe kishte bërë vetëm disa hapa përpara se të binte në gropën me thellësi disa metra. Policia dhe ekipet e emergjencës e gjetën pa ndjenja në fund të pusetës dhe e transportuan menjëherë në spital, ku mjekët konfirmuan vdekjen e saj.
Sipas dëshmitarëve, gruaja dëgjohej duke bërtitur “po vdes” menjëherë pas rënies. Një person që ndodhej pranë vendit të ngjarjes tha se gjithçka ndodhi brenda sekondash dhe se viktima nuk dukej e shpërqendruar apo duke përdorur telefonin. Ai e krahasoi momentin me një skenë filmi vizatimor, duke thënë se “ajo thjesht u zhduk në vrimë”. Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë se makina e saj ishte e parkuar pranë një korsie biçikletash, afër një zone tregtare luksoze në Manhattan.
Kompania energjetike Con Edison deklaroi se pamjet filmike sugjerojnë që kapaku i pusetës ishte zhvendosur pak minuta më parë nga një kamion i rëndë që kaloi mbi të. Sipas kompanisë, raste të tilla janë shumë të rralla, megjithatë automjetet e tonazhit të rëndë mund të shkaktojnë lëvizjen e kapakëve të pusetave. Ndërkohë, familjarët e Donike Gocajt thanë se po përpiqen të kuptojnë si ndodhi tragjedia në një nga zonat më të frekuentuara të New York-ut.