Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në New York, ku një grua shqiptare humbi jetën pasi ra në një pusetë të hapur në mes të rrugës në Manhattan.
Viktima është identifikuar si Donike Gocaj, 56 vjeçe, residente në Briarcliff Manor. Sipas policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 23:19 të së hënës, në kryqëzimin e Rrugës së 52-të me Avenynë e Pestë.
Dëshmitarët thanë se gruaja kishte dalë nga automjeti i saj dhe, vetëm pak sekonda më vonë, ra në një pusetë elektrike të hapur, rreth 3 metra të thellë, që i përkiste kompanisë Con Edison.
“E mbylli derën e makinës dhe bëri një hap përpara. Papritur u zhduk”, rrëfeu për mediat amerikane dëshmitari Carlton Wood.
Sipas tij, qytetarët që ndodheshin pranë u përpoqën menjëherë ta ndihmonin. Njëri prej tyre solli edhe një shkallë të vogël, por thellësia e madhe e pusetës e bëri të pamundur nxjerrjen e saj.
“Ajo bërtiste se po vdiste”, deklaroi dëshmitari.
Zjarrfikësit e FDNY zhvilluan një operacion shpëtimi për ta nxjerrë gruan nga puseta, duke përdorur shkallë për të hyrë në të. Kur Donike Gocaj u nxor, ajo ishte pa ndjenja dhe pa shenja jete. 56-vjeçarja u transportua me urgjencë në NewYork-Presbyterian Hospital, ku mjekët konfirmuan vdekjen e saj.
Familjarët e viktimës thanë se në vendngjarje mungonin tabelat paralajmëruese, kone sigurie apo barrierat mbrojtëse rreth pusetës së hapur. Sipas rregulloreve të qytetit, këto struktura duhet të jenë të mbuluara ose të sinjalizuara qartë për të shmangur rreziqe të tilla.
Avokati Christopher J. Gorayeb deklaroi se incidente të ngjashme nuk janë të rralla në New York dhe se kapakët e pusetave duhet të sigurohen për të shmangur zhvendosjen aksidentale.
Ndërkohë, kompania Con Edison tha se, bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, dyshohet që kapaku i pusetës të ishte zhvendosur pak minuta më herët nga kalimi i një kamioni të rëndë. Sipas kompanisë, rreth 12 minuta më pas, Donike Gocaj parkoi automjetin pranë vendit ku ndodhi tragjedia.
Të martën në mëngjes, familjarët vizituan vendin e ngjarjes në përpjekje për të kuptuar më shumë rreth asaj që ndodhi. 56-vjeçarja la pas një djalë, një vajzë dhe dy nipër e mbesa.