Prek Gjoni mohon akuzat për dhunë: Nuk e kam goditur gazetarin, ai u rrëzua vetë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.05.2026, 01:32

Pas ngjarjes së raportuar në Shkodër ku gazetari Ervin Dushi pretendoi se është dhunuar fizikisht, ka ardhur edhe reagimi i palës tjetër të përfshirë në konflikt, pronarit të rrjetit të supermarketeve “Xhedis”, Prek Gjoni, i cili i ka mohuar akuzat për dhunë.

Sipas Gjonit, i cili ka folur në një lidhje televizive për News24, gazetari nuk është goditur prej tij apo personave të tjerë, por është rrëzuar gjatë një momenti tensioni verbal mes tyre.

Ai pretendon se situata ka lindur pas, sipas tij, një serie mesazhesh dhe denoncimesh të bëra nga gazetari Ervin Dushi në rrjete sociale, të cilat ai i konsideron shantazh për çështje që lidhen me produktet e marketeve “Xhedis”, pretendime të cilat Gjoni i ka hedhur poshtë kategorikisht.

“Nuk është e vërtetë që ka produkte të skaduara. Jam njoftuar edhe policinë edhe AKU-në për këtë situatë, pasi kam konsideruar se po shantazhohem,” është shprehur ai, duke shtuar se takimi mes tyre nuk ka qenë rastësor, por i kërkuar më herët.

Sipas versionit të tij, në momentin e takimit në një lokal në Shkodër, situata ka eskaluar pas një debati verbal, ku gazetari është afruar dhe e ka shtyrë, ndërsa ai ka deklaruar se nuk mban mend ta ketë goditur dhe se gazetari është rrëzuar gjatë përplasjes.

“Unë nuk e kam goditur. Është rrëzuar vetë. Jam i gatshëm të jap dëshminë time në polici,” është shprehur Gjoni, duke theksuar se ndihet i shqetësuar për situatën dhe pretendimet ndaj tij.

Ndërkohë, më herët gazetari Ervin Dushi ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga disa persona, mes të cilëve, sipas tij, ndodhej edhe vetë Prek Gjoni. Ai ka bërë të ditur se ka kryer kallëzim në polici dhe se ka marrë edhe trajtim mjekësor për dëmtimet e pësuara.

Policia e Shkodrës ka njoftuar se ka nisur hetimet dhe se është identifikuar një prej personave të përfshirë në konflikt, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe rolit të secilit në ngjarje.

Nga ana e saj, pala e biznesit mohon kategorikisht akuzat për dhunë, ndërsa pala e gazetarit këmbëngul se është sulmuar fizikisht nga disa persona.

Ngjarja mbetet nën hetim dhe pritet që dëshmitë, provat dhe kamerat e sigurisë të sqarojnë dinamikën e plotë të incidentit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit