Abuzoi seksualisht për vite me rradhë me të miturën, burg për 37-vjeçarin shqiptar në Britani

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.05.2026, 00:14

Një 37-vjeçar shqiptar është dënuar në Britaninë e Madhe pasi u shpall fajtor për abuzim seksual ndaj një vajze të mitur për një periudhë katërvjeçare.

Sipas autoriteteve britanike, Arsenad Guraj, kishte nisur të prekte në mënyrë të papërshtatshme vajzën në Peterborough që në mars të vitit 2019 dhe abuzimi ka vijuar deri në korrik të vitit 2023.

Viktima tregoi ngjarjen tek familjarët pasi, sipas raportimeve, kishte kuptuar përmes posterave dhe aktiviteteve sensibilizuese në shkollë se ishte viktimë e abuzimit seksual.

Pas denoncimit në polici, Guraj u arrestua në prill të vitit 2024. Gjatë marrjes në pyetje ai mohoi akuzat, por më 12 maj, Gjykata e Huntingdonit e dënoi me 5 vite burg.

Ai u shpall fajtor për dy akuza që lidhen me prekjen dhe përfshirjen në akte seksuale jo-penetruese ndaj një vajze nën moshën 13-vjeç, si edhe ndaj një të miture nga 13 deri në 15-vjeç.

Përveç dënimit me burg, shqiptari është futur përjetësisht në regjistrin e autorëve të krimeve seksuale në Britani. Gjykata vendosi gjithashtu ndaj tij një urdhër ndalimi për 12 vite dhe një urdhër 10-vjeçar për parandalimin e dëmeve seksuale.

Në deklaratën e saj personale, viktima ka treguar se abuzimi i vazhdueshëm i kishte shkatërruar jetën sociale dhe shkollore, duke e çuar drejt izolimit dhe vetëlëndimit.

Hetuesja e çështjes, detektivja Lauren Kirkup, deklaroi se abuzimi i zgjatur kishte pasur ndikim të thellë tek viktima dhe vlerësoi guximin e saj për të dëshmuar dhe përballuar procesin gjyqësor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit