“Mjekja s’më jep dot rekomandim për në QSUT se s’ka sistem! Organizmi s’më pranon ilaçet, sëmundja nuk pret sa ta rregulloni ju!”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.05.2026, 23:56

Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim lidhur me vështirësitë që po has në sistemin shëndetësor, ndërsa thotë se prej disa ditësh nuk po arrin të marrë rekomandimin për t’u paraqitur në QSUT për shkak të mosfunksionimit të sistemit.

Ajo tregon se vuan nga një problem shëndetësor dhe është e detyruar të marrë ilaçe gjatë gjithë jetës, por organizmi i saj nuk po i toleron më medikamentet. Më tej, denoncuesja thotë se analizat kanë nxjerrë një nivel shumë të lartë alergjie apo reaksioni në organizëm.

“Norma duhet të jetë nën 100, ndërsa mua më ka dalë 474”, shprehet ajo në mesazhin dërguar redaksisë sonë.

Qytetarja tregon se fillimisht mjekja e familjes i ka dhënë një letër referimi pa sistem për tek specialistja, por kjo e fundit i ka thënë se gjendja kërkon trajtim në QSUT dhe nuk mund t’i japë rekomandim pa funksionuar sistemi elektronik.

Sipas saj, problemi me sistemin vazhdon prej ditës së premte dhe pacientët po mbeten pa marrë shërbimin që u nevojitet.

“Një problem shëndetësor nuk mund të presë derisa të rregullojnë sistemin”, shkruan qytetarja, duke kërkuar që institucionet përkatëse të marrin masa urgjente ose të udhëzojnë mjekët që pacientët të referohen edhe pa sistem në raste kur bëhet fjalë për probleme serioze shëndetësore.

JOQ Albania publikon denoncimin e qytetares dhe pret një reagim nga institucionet shëndetësore lidhur me problematikën e ngritur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit