Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një familje në lagjen nr.1 të Durrësit, e cila pretendon se është përballur me një situatë të pazakontë dhe shqetësuese vetëm tre ditë pas konfliktit që pati me një fqinj, i cili sipas kallëzimit të bërë nga familjarët i kishte kërcënuar me armë, ndërsa sipas versionit zyrtar të policisë arma rezultoi lodër.
Sipas qytetares që kontaktoi redaksinë tonë, rreth orës 13:33 të datës 19 maj, pranë banesës së tyre është paraqitur një patrullë e Policisë së Shtetit e shoqëruar edhe nga një person civil, i panjohur për familjen.
Në videon e dërguar në redaksinë e JOQ Albania, dëgjohet momenti kur bashkëshorti i denoncueses pyet efektivët e policisë se kush ishte personi civil që ndodhej me ta. Në atë moment, personi në fjalë dëgjohet duke thënë: “Jam drejtori i përgjithshëm”, pa specifikuar se për cilën drejtori bëhej fjalë.
Më pas në video zhvillohet edhe një debat verbal, ku personi civil i kërkon llogari bashkëshortit të denoncueses lidhur me konfliktin e ndodhur disa ditë më parë me komshiun.
Sipas qytetares, ajo dhe familja e saj nuk e njohin personin që u prezantua si “drejtori i përgjithshëm” dhe pretendojnë se mbetën të paqartë edhe nga vetë patrulla e policisë mbi arsyen e prezencës së tij në ambientet e banesës së tyre.
Denoncuesja shprehet se pas incidentit bashkëshorti është paraqitur në polici për të kërkuar sqarime mbi situatën, ndërsa sipas saj hetimet për rastin janë ende në vijim.
Familja pretendon gjithashtu se patrulla kishte shkuar në banesë pas një telefonate, ndërsa në video personi civil dëgjohet duke thënë se telefonatën e kishte bërë vetë ai.
Ngjarja vjen vetëm tre ditë pasi JOQ Albania publikoi rastin e një konflikti në të njëjtën lagje të Durrësit, ku një person u shoqërua nga policia pasi dyshohej se kishte kërcënuar fqinjin me një armë, e cila sipas versionit paraprak të policisë rezultoi të ishte lodër.
JOQ Albania po publikon denoncimin dhe videon e qytetarëve ashtu siç është raportuar prej tyre, ndërsa mbetet në pritje të një reagimi zyrtar nga Policia e Shtetit për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe identitetin e personit që u prezantua si “drejtori i përgjithshëm”.
Denoncimi i plotë:
“Përshëndetje! Po ju shkruaj për atë situatën në Durrës, te Lagjja 1. Para 3 ditëve kishim një konflikt me një komshi, i cili kërcënoi me armë bashkëshortin tim. Policia e ka lënë të lirë, sipas tyre sa të bëhet ekspertiza e pistoletës që iu gjet, dhe sot na vjen policia me këtë personin në shtëpi. Do të më ndihmonte shumë nëse e postoni një video që do t'ju nis.
Sot, rreth orës 13:33, paraqitet pranë banesës sime në Durrës, te Lagjja nr. 1, patrulla e Policisë së Shtetit bashkë me një person civil, i cili na kërcënon dhe thotë që është Drejtori i Policisë. Nuk kuptoj se si patrulla vjen me një qytetar të paidentifikuar, i cili prezantohet si Drejtor i Policisë. Personi që u paraqit nuk është personi që na kërcënoi më datë 17, por erdhi sot për ta shantazhuar bashkë me patrullën. Me dhanë udhëzim ta nis materialin tek numri juaj.
Erdhi patrulla dhe më pas afrohet personi në fjalë; bashkëshorti im e pyet ‘kush jeni?’. Ai prezantohet duke thënë ‘jam drejtori i përgjithshëm’, por e çuditshme është se si patrulla nuk ka asnjë reagim. Ky është personi që thotë se është drejtori i përgjithshëm. Ne nuk e njohim.
Më pas u paraqit bashkëshorti në polici për të sqaruar situatën, sepse ne nuk u sqaruam as nga patrulla për arsyen e ardhjes, e aq më tepër për prezencën e një personi që nuk e njohim të na vijë në derë të shtëpisë. Kjo është alarmante, sepse edhe patrulla është e përfshirë; nëse do të ishte drejtori i përgjithshëm, do të na e prezantonte.
Aktualisht janë në vijim hetimet për rastin. Por fakti që patrulla e lejon të afrohet një person i paidentifikuar në ambientet e shtëpisë sime dhe as nuk i thotë që të largohet, nëse nuk do të ishin të përfshirë edhe ata të patrullës, besoj se në momentin që zotëria prezantohet si drejtor i përgjithshëm do ta kundërshtonin. Por ata heshtën dhe u morën me ne, duke na pyetur pse po ngremë zërin për të kërkuar llogari se kush ishte personi në fjalë. Kjo e bën patrullën të përfshirë, sipas nesh.
Sipas patrullës, kishte marrë një telefonatë dhe i kishin dhënë adresën e shtëpisë sonë, por gjatë pyetjes që ne i bëjmë patrullës se përse jeni këtu, ‘drejtori’ i vetëshpallur thotë: ‘Ju kam telefonuar unë’. Por kush ishte arsyeja dhe përse, ne nuk e dimë, sepse nuk është banor i pallatit, as nuk e njohim dhe as nuk patëm ndonjë konflikt me këtë drejtorin e përgjithshëm të vetëshpallur. Prandaj edhe ne dyshojmë te patrulla.
I gjithë ambienti është i monitoruar me kamerat e shtëpisë sonë (pamje dhe zë), të cilat i kemi depozituar në polici për të vërtetuar që nuk e njohim zotërinë dhe nuk kemi pasur asnjë konflikt. Tani i mbetet policisë të na sqarojë arsyen përse kanë ardhur këta të patrullës dhe të marrë masa për rastin në vijim.
Publikimi i videos bëhet që Policia e Shtetit t'i thërrasë mendjes, sepse ka në punë punonjës që nuk njohin ligjin dhe nuk na shërbejnë për asgjë. Duhet të shkosh në polici e të ulëritësh që të marrësh atë që të takon. Mjerë për ne që kemi ngelur në Shqipëri, ku jemi katandisur. Edhe unë, që s'kam shkollën përkatëse, e di që një individ i paidentifikuar kur të vjen në banesë përbën rrezik dhe kërcënim. Kjo e sotmja është lemëri, sepse dy djem të rinj si zdapa nuk janë të aftë të mbrojnë veten, e jo më qytetarët.”