Një situatë shqetësuese po ndodh në lagjen 7 në Kukës, pranë spitalit, ku qentë endacakë po lëvizin në grupe të mëdha dhe po shfaqin sjellje agresive, duke alarmuar banorët e zonës.
Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të raportuar një ngjarje e rëndë, ku një grup qensh ka sulmuar dhe kafshuar një qen tjetër në mes të lagjes. Skena ka shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin aty pranë.
Fatmirësisht, një i ri që po shpërndante pica me motor ka ndërhyrë në kohë, duke i larguar qentë me gurë derisa ata u shpërndanë dhe situata u vu nën kontroll.
Banorët shprehen se kjo nuk është një rast i izoluar, por një fenomen që po përsëritet dhe po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm. Sipas tyre, prania e qenve endacakë në grupe të mëdha po krijon frikë të vazhdueshme, sidomos për fëmijët që luajnë në ambientet e jashtme të pallateve.
“Sot u sulmua një qen, nesër mund të jenë fëmijët tanë. Kemi frikë t’i nxjerrim jashtë,” – shprehen banorët të shqetësuar.
Qytetarët i bëjnë thirrje Bashkisë Kukës që të ndërhyjë urgjentisht për menaxhimin e situatës, por theksojnë se zgjidhja duhet të jetë me metoda humane, duke shmangur çdo formë dhune ndaj kafshëve dhe duke garantuar njëkohësisht sigurinë e komunitetit.
Ata kërkojnë një plan të qartë dhe afatgjatë për trajtimin e qenve endacakë, sterilizimin dhe sistemimin e tyre, në mënyrë që kjo situatë të mos vazhdojë të përbëjë rrezik për banorët.