Drejtësia ka dhënë fjalën e fundit për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të dekadës së fundit në vend. Gjykata e Lartë ka refuzuar këtë të martë, 19 maj, rekursin e paraqitur nga Laert Haxhiu, duke lënë në fuqi dënimin maksimal me burgim të përjetshëm të dhënë më parë nga Apeli i Posaçëm.
Me këtë hap ligjor, dënimi i tij merr formë të prerë dhe Haxhiu do ta vuajë pjesën tjetër të jetës në një burg të sigurisë së lartë.
Ngjarja e përgjakshme daton në shtator të vitit 2017. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme, i gjithë krimi u ekzekutua në një hark kohor prej vetëm 32 sekondash. Nga një automjet në lëvizje ku ndodheshin tre persona, dy prej tyre qëlluan me breshëri armësh automatike ndaj një grupi të rinjsh.
Nga ky sulm mbetën të vrarë në vend Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku.
Për këtë masakër, krahas Laert Haxhiut, janë dënuar më parë me burgim të përjetshëm edhe dy bashkëpunëtorët e tij në krim, Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili.
Hetimet e SPAK zbuluan se viktimat e asaj dite nuk ishin objektivi real i skuadrës së vrasësve. Autorët kishin shkuar në vendngjarje për të ekzekutuar Xhuljo Shkurtin, nipin e ish-kreut të bandës së Lushnjes, Aldo Bare.
Shkurti ishte kthyer në Shqipëri vetëm një ditë para atentatit. Ai i shpëtoi plumbave krejtësisht rastësisht, pasi vetëm pak çaste para se të niste sulmi, u shkëput nga miqtë e tij për të shkuar në një parukeri pranë zonës.
Gjeneza e këtij krimi makabër lidhet me një sagë të vjetër hakmarrjeje mes familjes Haxhiu dhe Aldo Bares. Konflikti mes palëve nisi pasi anëtarët e ish-bandës së Lushnjes i dogjën banesën xhaxhait të Laert Haxhiut. Kjo ngjarje bëri që ky i fundit të hynte në rrugën e vetëgjyqësisë për të marrë hak ndaj njerëzve të Bares, duke përfunduar me eliminimin e miqve të nipit të tij dhe dënimin e tij përfundimtar me izolim të përjetshëm.