“Kam shpenzuar 20 milionë lekë dhe sot nuk qëndroj dot në këmbë! Shteti të më ndihmojë, rrezikoj të paralizohem totalisht”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.05.2026, 18:51

Një qytetar nga fshati Kamenicë i Korçës i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një apel të fortë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve përgjegjëse, pasi thotë se është lënë në mëshirë të fatit mes dhimbjeve, shpresës dhe vuajtjeve të pafundme.

Dhimitër Qerimaj rrëfen në videon e dërguar për JOQ Albania se prej më shumë se një viti po përballet me probleme të rënda shëndetësore pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për prostatën. Sipas tij, gjatë operacionit i është bërë një gjilpërë në shtyllën kurrizore, e cila dyshohet se i ka prekur qelizat nervore, duke i shkaktuar paralizë në të dyja këmbët.

Ai shprehet se aktualisht ndodhet i shtruar në Tiranë prej 20 ditësh, ndërsa më parë ka qenë i shtruar edhe në Korçë për të njëjtin problem. Gjendja e tij, sipas dëshmisë që jep vetë, po përkeqësohet dita-ditës dhe ai rrezikon të paralizohet plotësisht.

Qytetari tregon se ka kërkuar të kryejë një vizitë TSA dhe një ndërhyrje të specializuar, por prej ditësh po përballet me sorollatje dhe mungesë zgjidhjeje. Ai rrëfen se një ditë më parë e kanë dërguar deri në Fier për ekzaminim, por atje i kanë thënë se ishte ngatërruar me një pacient tjetër dhe është rikthyer në Tiranë në orët e para të mëngjesit.

“Jam skandal në këtë gjendje që jam. Rrezikoj të paralizohem totalisht”, shprehet ai mes lotësh në videon e dërguar për redaksinë tonë.

Dhimitri thotë se ka shpenzuar rreth 20 milionë lekë të vjetra në spitale në Shqipëri dhe jashtë saj, duke kërkuar zgjidhje në Korçë, Tiranë dhe Maqedoni, por pa mundur të rikthehet në këmbë. Ai deklaron se nuk ka më mundësi ekonomike për t’u trajtuar në një spital privat dhe se shpresa e vetme i ka mbetur ndihma nga shteti.

JOQ Albania i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve përkatëse që të marrin në shqyrtim me urgjencë rastin e qytetarit nga Korça dhe t’i japin një zgjidhje, pasi bëhet fjalë për një njeri që pretendon se ndodhet në rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit