Dhunimi i gazetarit shkodran, reagon policia/ Dushi: Tentuan të më shtypnin me makinë para se të më telefononte Prek Gjoni!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.05.2026, 00:38

Policia e Shkodrës ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e sotme, ku gazetari Ervin Dushi denoncoi se ishte dhunuar fizikisht nga disa persona pranë supermarketit “Xhedis” në lagjen “Skënderbeg”.

Në njoftimin paraprak, policia bën me dije se gazetari E.D. është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër, ku ka kallëzuar se rreth orës 20:00 është goditur me grushte nga disa shtetas.

Sipas policisë, pas marrjes së denoncimit janë kryer menjëherë veprimet e para procedurale dhe është bërë identifikimi i njërit prej personave të përfshirë, shtetasit P. Gj., që sipas burimeve për JOQ Albania bëhet fjalë për pronarin e rrjetit të supermarketeve “Xhedis”, Prek Gjoni.

Megjithatë, deri në këto momente, shoqërimi i tij në polici ende nuk është kryer, ndërsa grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

JOQ Albania kontaktoi edhe me gazetarin Ervin Dushi, i cili bëri me dije se aktualisht ndodhet në spital për kontrolle mjekësore pas dhunës së ushtruar ndaj tij, ndërsa më herët ka kryer edhe kallëzimin zyrtar në polici.

Gjatë komunikimit me redaksinë, gazetari ka zbardhur edhe një detaj tejet të rëndësishëm dhe të dyshimtë që ka paraprirë sulmin. Ai ka treguar se përpara se të dhunohej fizikisht, një automjet për pak sa nuk e ka aksidentuar dhe fill pas kësaj është telefonuar nga pronari i "Xhedis", Prek Gjoni. Sapo ka mbërritur në vendngjarje, ai është dhunuar nga katër persona, ku i pranishëm midis tyre ishte edhe vetë Gjoni.

“Pak minuta para incidentit një makinë me dy djem të rinj brenda desh më mori para dhe falë vigjilencës sime shpëtova. Pastaj më ra telefoni nga Preka”, ka dëshmuar Dushi për JOQ Albania.

Pak më herët, vetë gazetari publikoi një video ku shfaqej medëmtime në fytyrë dhe pretendonte se ishte sulmuar nga katër persona, mes të cilëve ndodhej edhe Prek Gjoni.

“Kamerat do ta tregojnë realitetin se kush u përfshi dhe kush nuk u përfshi”, deklaronte Dushi në videon e publikuar pas ngjarjes.

Dhuna ndaj një gazetari është një ngjarje tepër e rëndë dhe alarmante, që prek jo vetëm sigurinë personale të tij, por edhe lirinë e medias dhe të drejtën për të raportuar pa frikë apo intimidim. Një gazetar nuk mund të përballet me dhunë për shkak të punës apo denoncimeve që publikon.

JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të hetojnë me seriozitet maksimal këtë ngjarje, të identifikojnë të gjithë personat e përfshirë dhe t’i vënë sa më parë përballë drejtësisë.

Ngjarja bëhet edhe më sensitive pasi vjen pas dy denoncimeve të publikuara së fundmi nga JOQ Albania në lidhje me rrjetin “Xhedis”. Fillimisht, një qytetar pretendoi se në supermarketet e këtij rrjeti ushtrohej presion dhe dhunë verbale ndaj punonjësve, akuza që kompania i mohoi publikisht.

Më pas, gazetari Ervin Dushi publikoi një tjetër video ku denonconte presion psikologjik ndaj qytetarit që kishte folur publikisht, duke pretenduar se pranë banesës së tij shfaqeshin vazhdimisht mjete policie dhe persona të lidhur me familjen Gjoni.

Tashmë pritet që hetimet, dëshmitë dhe pamjet e kamerave të sigurisë të hedhin dritë mbi dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësitë e secilit person të përfshirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit