Gentian Likaj tall tr*pin me SPAK, fiton tjetër tender pa garë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.05.2026, 22:08

Ndërsa SPAK ka zgjeruar hetimet duke e futur zyrtarisht në dosjen e nxehtë korruptive të AKSHI-t, biznesmeni Gentian Likaj duket se nuk e ka ndalur hovin e marrjes së parave publike përmes tenderave tejet të dyshimtë.

Këtë herë, "gostia" vjen pikërisht nga institucioni që ligjërisht ka detyrën të kontrollojë pasuritë e zyrtarëve dhe të parandalojë konfliktin e interesit: Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI).

ILDKPKI ka mbyllur procedurën e tenderit me numër reference REF-77090-02-23-2026 për "Rinovimin e licencave të komponentëve të sigurisë kibernetike dhe mirëmbajtjen e sistemeve". Fondi limit i vënë në dispozicion nga shteti ishte 7,500,000.00 lekë të reja pa TVSH. Fitues është shpallur pikërisht kompania "COMMUNICATION PROGRESS", në pronësi të Gentian Likajt dhe Enkeleidi Zoraqit.

Skema e pastër e "farsës": Fiton oferta më e lartë ekonomike

Fakti që zoti Likaj është vënë nën shënjestrën e SPAK-ut si pjesë e grupit të hetuar për manipulimin e tenderave miliona eurosh në AKSHI, duket se nuk ka përbërë asnjë pengesë për komisionin e vlerësimit të ofertave në ILDKPKI. Dokumentacioni i këtij prokurimi shpërfaq një skenar të pastër "garë formale" me fitues të paracaktuar:

  • Në tender kanë marrë pjesë 4 operatorë ekonomikë.
  • Dy kompani kanë hyrë në garë thjesht për numër, duke mos paraqitur asnjë ofertë ekonomike.
  • Kompania e tretë ka ofruar një çmim më të ulët, që do t'i kursejë para buxhetit të shtetit.
  • Pavarësisht kësaj, ILDKPKI ka skualifikuar operatorët e tjerë dhe ka shpallur fitues "COMMUNICATION PROGRESS", e cila kishte ofertën më të shtrenjtë në tavolinë.

Zhvatje deri në qindarkën e fundit: "Zhduket" 93% e fondit limit

Kompania e Likajt ka fituar tenderin me vlerën 6,969,850.00 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 84 milionë lekë të vjetra me TVSH. Një llogaritje e thjeshtë tregon se kjo ofertë kap plot 93% të fondit limit.

Në gjuhën e auditimeve dhe monitoruesve të prokurimeve publike, ky konsiderohet një "Flamur i Kuq" (Red Flag) i pastër: një situatë ku operatori e di saktësisht se sa është tavani i fondit dhe ofron vlerën maksimale, i sigurt që nuk ka konkurrencë reale dhe se gara është thjesht një procedurë formale mbi letër.

Fakti që një emër i skeduar nga SPAK për "qepje" tenderash në fushën e IT-së pranë AKSHI-t merr me të njëjtën metodë edhe paratë e sigurisë kibernetike të ILDKPKI-së, ngre pikëpyetje të mëdha se sa thellë është shtrirë kjo skemë korruptive në institucionet shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit