Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Tajvanin që të mos ndërmarrë hapa drejt shpalljes formale të pavarësisë nga Kina, vetëm pak orë pas samitit dyditor me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh qartë se SHBA nuk dëshiron përshkallëzim të situatës në rajon dhe as një konflikt me Kinën për çështjen e Tajvanit.
“Nuk po kërkoj që dikush të shpallë pavarësinë”, deklaroi Trump, duke shtuar se dëshiron që tensionet mes palëve “të qetësohen”.
Tajvani e konsideron veten një shtet sovran, megjithëse Kina e sheh ishullin si pjesë të territorit të saj dhe ka paralajmëruar vazhdimisht se nuk përjashton përdorimin e forcës për ta rimarrë nën kontroll.
Gjatë samitit, Xi Jinping i ka bërë të qartë Trumpit se çështja e Tajvanit mbetet tema më e ndjeshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Sipas mediave shtetërore kineze, presidenti kinez ka paralajmëruar se nëse situata menaxhohet gabim, dy superfuqitë mund të përplasen drejtpërdrejt.
Trump deklaroi se ai dhe Xi diskutuan gjatë për Tajvanin, por shmangu të tregonte nëse SHBA do ta mbronte ushtarakisht ishullin në rast konflikti.
“Nuk po kërkojmë luftëra. Nëse gjithçka mbetet siç është, mendoj se Kina do të jetë në rregull me këtë”, tha ai.
Ndërkohë, Kina ka shtuar ndjeshëm stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit vitet e fundit, duke rritur frikën për një përplasje të mundshme në Azi.
Administrata Trump kishte miratuar më herët edhe një paketë armësh prej 11 miliardë dollarësh për Tajvanin, përfshirë raketa dhe sisteme të avancuara ushtarake, gjë që ka shkaktuar reagim të ashpër nga Pekini.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm tajvanez Lin Chia-lung deklaroi se Tajvani po ndjek me kujdes zhvillimet mes SHBA-së dhe Kinës, ndërsa akuzoi Pekinin për rritje të presionit ushtarak dhe kërcënimeve ndaj ishullit.