Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndërmarrë një aksion të befasishëm në jug të vendit, duke vënë në pranga zyrtarë të lartë të policisë lokale. Në shënjestër të këtij operacioni ka qenë shefi i Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, i cili akuzohet për përfshirje në lejimin e ndërtimeve pa leje në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.
Përveç Bashllarit, raportohet se janë arrestuar edhe një efektiv dhe dy inspektorë të tjerë. Ky grup zyrtarësh dyshohet se ka favorizuar ndërtimet e paligjshme në zonat turistike, duke mos ushtruar kontrollet ligjore në terren.
Hetimi i AMP-së ka nisur pas disa rasteve flagrante të regjistruara ditët e fundit. Kujtojmë se pak kohë më parë, Prokuroria sekuestroi katin e një objekti hotelerie, ndërsa në një plazh të Ksamilit u prangosën 8 punëtorë që po ndërtonin pa asnjë leje nga autoritetet.
Këto ngjarje kanë shërbyer si indicie për të zbuluar rolin e efektivëve të policisë, të cilët dyshohet se kanë pasur dijeni për punimet, por nuk kanë ndërhyrë. Hetimet po vijojnë dhe burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se priten arrestime të tjera në vijim, pasi po verifikohen të gjitha lejet dhe objektet e dyshimta në bregdet.