Shkatërruan dhjetëra banesa dhe grabitën mbi 1 milion £, dënohen me burg anëtarët e bandës shqiptare në Britani

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.05.2026, 19:56

Një bandë shqiptare e krimit të organizuar, së bashku me një grua britanike, janë dënuar në Britaninë e Madhe pas zbulimit të një skeme të gjerë grabitjesh që kap vlerën mbi 1 milion paund.

Sipas autoriteteve britanike, grupi kishte kryer të paktën 44 grabitje banesash në zona të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, mes tyre edhe në Staffordshire, ku u regjistruan nëntë raste.

Banda synonte kryesisht banesa luksoze, nga ku grabiteshin çanta të markave të njohura, ora të shtrenjta, bizhuteri, para cash dhe shishe vere me vlerë të lartë. Një pjesë e sendeve të vjedhura janë rikuperuar, ndërsa shumica dyshohet se janë shitur.

Autoritetet theksojnë se disa prej sendeve të marra kishin vlerë të madhe sentimentale për pronarët, ndërsa puna vijon për rikthimin e tyre te viktimat.

Hetimet u zhvilluan nga disa polici britanike në bashkëpunim me njëra-tjetrën, ku përmes analizave të ADN-së dhe gjurmimit të lëvizjeve të grupit, u bë i mundur identifikimi i anëtarëve të bandës.

Gjatë operacioneve në Walsall, Sutton Coldfield dhe Birmingham u arrestuan katër persona, ndërsa të tjerë u kapën më vonë në Surrey dhe Sheffield. Në kontrollet e ushtruara u sekuestruan afro 17 mijë paund cash, 13 çanta luksoze dhe 14 ora të shtrenjta.

Në total, anëtarët e bandës janë dënuar me më shumë se 38 vite burg.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit