Një video alarmante ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një person shfaqet duke lëvizur me shpejtësi skëterrë në autostradën Fier-Vlorë, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tij, por edhe të çdo qytetari që mund të ndodhej në rrugë.
Pamjet, të publikuara sot në TikTok nga një përdorues me emrin “Vlora95”, tregojnë momentin kur automjeti arrin shpejtësinë marramendëse 327 km në orë, një shifër që tejkalon në mënyrë ekstreme çdo limit të lejuar në rrugët shqiptare.
Në një autostradë ku shpejtësia maksimale varion nga 110 deri në 130 km/h, lëvizja me mbi 300 km/h është një akt i pastër papërgjegjshmërie dhe rreziku ekstrem.
Më shqetësuesja është fakti se videoja duket se është publikuar me krenari, sikur bëhet fjalë për një “arritje”, ndërkohë që në realitet kemi të bëjmë me një sjellje që mund të kthehet në tragjedi brenda sekondash.
Shumë jetë të pafajshme janë marrë ndër vite nga persona që kthehen në “kamikazë” të rrugëve, duke e trajtuar timonin si lodër dhe autostradat si pista garash. Me një shpejtësi të tillë, mjafton një gabim minimal për të shkaktuar një masakër të vërtetë.
Ky rast duhet të shërbejë si kambanë alarmi për institucionet dhe Policinë Rrugore, që raste të tilla të mos kalojnë thjesht si video virale në rrjetet sociale.
Kërkohen masa të ashpra, identifikim i drejtuesit të mjetit dhe reagim i menjëhershëm, pasi nesër mund të jetë tepër vonë dhe pasojat të jenë tragjike.