Deklaron 10 MLN € fitime, por bën investime 210 MLN €! Paratë e kujt pastron Gjergj Lluca? Pse nuk hetohet nga SPAK

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 15.05.2026, 13:09

Në Shqipëri mund të ndodhë gjithçka. Mund të ndërtosh resorte, fabrika, restorante, qendra peshkimi, të blesh anije, të marrësh prona publike dhe të shtrihesh në gjysmën e vendit me investime që kapin 210 milionë euro… ndërsa në letra të dalësh me fitime që mezi mbulojnë faturat e dritave.

Ky është rasti i biznesmenit Gjergj Lluca të PIG CITY, mikut publik të kryeministrit Edi Rama, i cili sipas bilanceve zyrtare ka deklaruar rreth 10.2 milionë euro fitime në 12 vite, por ndërkohë ka ngritur një perandori biznesi që llogaritet të ketë thithur rreth 210 milionë euro investime.

Një matematikë që nuk del as me kalkulatorin e Tatimeve, as me logjikën më bazike ekonomike. Sepse ose Gjergj Luca ka zbuluar formulën magjike të shumëzimit të parave, ose SPAK duhet ta hetojë seriozisht se nga kanë dalë milionat.

Në bilancet zyrtare, kompania “Rozafa” rezulton me fitime modeste: 34 mijë euro në 2013, 51 mijë euro në 2014, rreth 220 mijë euro në 2016 dhe madje humbje në 2025, shkruan Pamfleti. Por ndërkohë, në terren ngrihen resorte, restorante e fabrika si kërpudhat pas shiut.

Ironia bëhet edhe më e fortë kur kujtohet se vetë Luca, në vitin 2022, dilte publikisht duke u ankuar se bankat nuk i jepnin kredi sepse kishte humbur besueshmërinë si klient. Pra bankat nuk i besonin për kredi, por milionat vazhdonin të derdheshin me lopatë në biznese.

Pyetja që endet pezull është e thjeshtë: kush i financoi?

Por SPAK duket se ka zgjedhur luksin e heshtjes. Një heshtje që bëhet edhe më e rëndë kur emri i Llucës është përfolur ndër vite në dosje shqiptare e ndërkombëtare që lidhen me trafik droge, kontrabandë dhe pastrim parash. Për më tepër, raportime të ndryshme kanë përmendur sinjalizime nga SHISH, struktura anti-pastrim dhe agjenci ndërkombëtare, ku pretendohet se burimet financiare mund të lidhen me aktivitete kriminale.

Megjithatë, në vend të hetimeve spektakolare, publiku sheh vetëm inaugurime, selfie dhe kontrata “1 Euro” që kanë kthyer prona publike në pasuri private. Troje, objekte, hapësira detare e liqene kanë kaluar në përdorim të kompanisë “Rozafa”, ndërsa askush nuk pyet se si ndërtohet një perandori me fitime që mezi kapin 5% të investimeve.

Në çdo vend normal, një diferencë e tillë do të ndizte alarmet e institucioneve financiare dhe prokurorive. Në Shqipëri, duket se ndez vetëm dritat e resorteve të reja.

Edhe lëvizjet e fundit në kompani kanë shtuar dyshimet. Në shkurt 2026, Lluca largoi nga posti i administratorit nipin e tij Ritvan Gjergji dhe riktheu Lisena Metoshin (Gjini), ish-përfaqësuese e PS-së në Këshillin Bashkiak të Elbasanit dhe ish-administratore e “Rozafa”. Një rotacion që kritikët e lexojnë si tentativë për të fshirë gjurmët e punëve të pista që po ekspozohen gjithnjë e më shumë.

Ndërsa SPAK vazhdon të heshtë, pyetja mbetet e njëjtë: si ndërtohet një perandori 210 milionë euro me fitime që nuk blejnë dot as themelet e saj?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit