AKU ka mbyllur përfundimisht kompaninë SORI-AL të Nikolin Nikoqirit dhe ish-gruas së tij Alma Tafan. Kjo erdhi pas helmimit të 52 studentëve në Akademinë e Sigurisë duke nxjerrë në pah një skandal të rëndë me ushqimin që u servirej të rinjve që përgatiten për strukturat e rendit.
Analizat zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë konfirmuar se makaronat e servirura në Akademi rezultuan të kontaminuara me bakteret e rrezikshme Escherichia coli dhe Staphylococcus aureus, ndërsa pasojat përfunduan me dhjetëra studentë të helmuar.
Pas shpërthimit të skandalit, AKU bllokoi aktivitetin e kompanisë së kateringut “SORI-AL”, e cila furnizonte Akademinë e Sigurisë me ushqim për tre vaktet ditore.
Inspektimet zbuluan probleme serioze higjieno-sanitare, duke çuar jo vetëm në pezullimin e aktivitetit të subjektit, por edhe në bllokimin e kuzhinës së vetë Akademisë deri në dezinfektimin e plotë të ambienteve dhe pajisjeve.
Nga 9 mostrat e marra për analiza, një kampion me makarona të gatshme rezultoi pozitiv me dy bakteret që shkaktojnë helmime ushqimore dhe infeksione të rrezikshme. Sipas ekspertëve, këto baktere përhapen nga ushqimet e ruajtura në kushte të papërshtatshme, mungesa e higjienës, pajisjet e ndotura apo kontakti me duar të pakujdesshme. Simptomat përfshijnë të vjella, diarre, dhimbje të forta barku dhe temperaturë.
JOQ kishte paralajmëruar prej vitesh me video se furgonët e kompanisë ZEPA Natyral transportonin çarçafët e ndotur të QSUT në kompaninë e tyre tjetrën të lavanderisë pasi kishin fituar tenderat e pastrimit.
U desh një dekadë që AKU të konstatonte këto shkelje në ambientet e bizneseve të oligarkut pasi ka përfituar miliarda lekë për shërbime kateringu ndër vite për institucionet shtetërore.
Në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”, aty ku prodhoheshin ushqimet që shpërndaheshin më pas në Akademi, AKU konstatoi shkelje të rënda dhe vendosi një gjobë prej 1.5 milionë lekësh ndaj kompanisë për “ushqim të pasigurt” dhe kushte jashtë standardeve higjieno-sanitare.
Ndërkohë, administratorja e kompanisë, Tafani po hetohet në gjendje të lirë, së bashku me teknologen e ushqimit. Për kuzhinierin dhe teknologen tjetër, Gjykata e Tiranës vendosi masën “detyrim paraqitje”, edhe pse Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg.

Skandali bëhet edhe më i rëndë kur rezulton se deri në fund të vitit 2025, kompania “SORI-AL” kishte fituar plot 75 tendera publikë me një vlerë totale prej 4.2 miliardë lekësh.
Më shumë se 22 MILIARDË lekë ka përfituar Nikoqiri dhe ish-gruaja administratore e SORO-AL nga viti 2019-2026 nga Thesari i Shtetir për shërbime kateringu. Nikoqiri dhe e shoqja s'e kanë kursyer dorën por i kanë shitur helm me lugë të sëmurëve tek QSUT, Sanatoriumi, Ushtaraku e spitaleve të tjera të vendit, Reparteve Ushtarake, Ministrisë së Mbrojtjes, etj etj