Banorët e Lagjes 13 në Plazh të Durrësit denoncojnë një situatë alarmante që prej kohësh po ua vështirëson jetesën dhe po dëmton rëndë imazhin e zonës.
Sipas denoncimit të mbërritur pranë redaksisë, pranë rrugës kryesore është krijuar një vend grumbullimi mbetjesh, plastikash dhe materialesh të ndryshme, duke e kthyer zonën në një vatër papastërtie dhe shqetësimi të vazhdueshëm për komunitetin.
Banorët shprehen se situata është bërë e padurueshme për shkak të zhurmave të vazhdueshme, erës së rëndë dhe kushteve skandaloze higjieno-sanitare. Ata tregojnë se në atë zonë mblidhen çdo ditë persona të ndryshëm, përfshirë edhe lypës, ndërsa ambienti është degraduar totalisht.
Sipas tyre, shqetësuese mbetet edhe fakti se shumë pranë banesave dhe rrugës ku kalojnë familjarë e turistë, kryhen nevoja personale në natyrë, duke rënduar edhe më shumë gjendjen.
Gjithashtu banorët thonë se aty mbahen edhe fëmijë të vegjël në kushte tepër të papërshtatshme dhe jo dinjitoze.
Banorët shprehen se kanë bërë ankesa të vazhdueshme pranë institucioneve përgjegjëse, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete nga Bashkia e Durrësit apo strukturat përkatëse.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin dhe rehabilitimin e zonës, sidomos në prag të sezonit turistik, ku imazhi i qytetit dëmtohet rëndë nga situata të tilla.