Cristian Chivu ka hyrë me forcë në historinë e Interit, duke realizuar atë që shumë trajnerë të mëdhenj nuk kanë mundur ta bëjnë në sezonin e tyre të parë. Rumuni i pankinës zikaltër udhëhoqi Interin drejt fitimit të Scudettos dhe Kupës së Italisë në të njëjtin edicion, një dopietë që rikthen Nerazzurrët në majën e futbollit italian pas një sezoni plot dyshime dhe tronditje.
Në pamje të parë mund të duket thjesht si fitimi i dy trofeve, por historia tregon se një sukses i tillë nuk është aspak i zakonshëm. Madje edhe José Mourinho, një nga emrat më legjendarë në historinë e klubit, nuk arriti ta realizonte këtë në sezonin debutues. “Special One” fitoi vetëm kampionatin në vitin e parë, për të ndërtuar më pas tripletën historike sezonin pasardhës.
Para Chivu-së, Interi kishte arritur vetëm një tjetër dopietë Scudetto-Kupë, në sezonin 2005-2006 me Roberto Mancini, në një periudhë të trazuar për futbollin italian pas skandalit të Calciopoli-t.
Ky triumf bëhet edhe më i veçantë po të merret parasysh fakti se klube të mëdha si AC Milan nuk kanë mundur ta realizojnë kurrë një sukses të tillë, ndërsa në histori ia kanë dalë vetëm ekipe ikonike si Juventus, Grande Torino, Napoli i Diego Maradona apo Lazio e Sven-Göran Eriksson.
E megjithatë, pak kush do ta kishte imagjinuar këtë skenar në fundin e sezonit të kaluar. Në majin e vitit 2025, tifozët zikaltër përjetuan një nga netët më të errëta të historisë moderne të klubit, pas humbjes katastrofike 5-0 në finalen e UEFA Champions League Final ndaj Paris Saint-Germain.
Pikërisht në atë moment mbërriti Chivu. Ish-mbrojtësi i Interit mori drejtimin e skuadrës mes skepticizmit dhe presionit të madh, por brenda pak muajsh arriti të transformojë atmosferën në ekip. Ai riktheu besimin te lojtarët, forcoi identitetin e skuadrës dhe ndërtoi një grup që dominoi në Itali.
Triumfi në Kupën e Italisë u konsiderua si shpërblim i logjikshëm për një skuadër që tregoi vazhdimësi dhe forcë gjatë gjithë sezonit. Emra si Lautaro Martínez, Denzel Dumfries dhe Nicolò Barella u shndërruan në shtyllat kryesore të suksesit zikaltër.
Megjithatë, sezoni nuk ishte perfekt. Eliminimi në Champions League nga Bodo/Glimt tregoi se Interi ka ende hapësira për t’u përmirësuar dhe nevojë për përforcime cilësore në merkato. Por këto janë çështje për të ardhmen.
Për momentin, në Milano festohet një dopietë historike dhe mbi të gjitha triumfi i një trajneri që askush nuk e priste të shkruante historinë kaq shpejt. Cristian Chivu, protagonisti surprizë i sezonit, tashmë ka hyrë në elitën e trajnerëve që kanë lënë gjurmë te Interi.