Familja e 34-vjeçarit Albano Hoxha, i cili ndërroi jetë pas aksidentit tragjik të ndodhur të martën në zonën e Shamogjinit në aksin Panaja–Novoselë, ka bërë një apel publik për gjetjen e telefonit të tij celular.
Sipas familjarëve, pak para aksidentit fatal, Albano kishte dërguar telefonin e tij në një servis celularësh, por ata nuk kanë dijeni se në cilin servis ndodhet pajisja.
Të afërmit kërkojnë ndihmën e çdo servisi telefonash apo personi që mund të ketë informacion për telefonin, pasi në të ndodhen fotografi dhe kujtime të rëndësishme familjare, përfshirë edhe fotot e fëmijëve me babain e tyre.
Telefoni që kërkohet është një iPhone 11 Pro Max në ngjyrë jeshile.
34-vjeçari humbi jetën pas një aksidenti të rëndë të regjistruar mesditën e së martës në zonën e Shamogjinit, pranë aksit të vjetër Vlorë–Fier. Sipas informacioneve paraprake, automjeti që ai drejtonte doli nga rruga dhe u përplas me barrierat mbrojtëse, ndërsa i riu nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra në spital.