Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një farmacist privat, i cili ngre alarmin për mungesën e shumë ilaçeve jetike në tregun farmaceutik shqiptar.
Sipas tij, prej javësh dhe muajsh qytetarët po përballen me mungesë të medikamenteve bazë, ndërsa në shumë raste nuk ekzistojnë as alternativa zëvendësuese apo barna me të njëjtën përbërje kimike.
Farmacisti rendit disa nga ilaçet që sipas tij mungojnë aktualisht në farmaci:
“Çdo ditë qytetarët i kërkojnë kudo këto ilaçe pa sukses. Janë ilaçe thelbësore për jetën e pacientëve dhe shumë prej tyre nuk kanë zëvendësues”, shkruan farmacisti për JOQ Albania.
Ai pretendon se situata është bërë alarmante, ndërsa shumë pacientë detyrohen të kërkojnë ilaçe jashtë vendit apo përmes të afërmve emigrantë. JOQ Albania prej kohësh ka marrë dhjetëra denoncime të ngjashme për mungesën e barnave, ku në shumë raste qytetarët kanë kërkuar ndihmë për të gjetur medikamente jetike që nuk gjendeshin më në tregun shqiptar.
Problematikat me barnat dhe sistemin farmaceutik janë ngritur vazhdimisht edhe në raportime publike dhe auditime të institucioneve. Së fundmi janë raportuar probleme me mungesat, rritjen e çmimeve dhe kaosin në tregun e barnave të rimbursueshme.
Farmacisti shpreh revoltë edhe për gjendjen e sistemit shëndetësor në vend, duke thënë se qytetarët po përballen me çmime gjithnjë e më të larta dhe mungesë shërbimesh bazë, ndërsa askush nuk jep shpjegime për mungesën e ilaçeve jetike.
JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë dhe të verifikojnë situatën, pasi bëhet fjalë për barna që përdoren nga pacientë kronikë, diabetikë, persona me probleme të tiroides, astmatikë dhe pacientë të tjerë që varen çdo ditë nga trajtimi mjekësor.