Një video shqetësuese e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ka ngritur sërish shqetësimin për fenomenin që po kthehet çdo ditë në rrezik për jetën e qytetarëve: drejtimi i automjeteve me shpejtësi skandaloze nga të rinj të papërgjegjshëm.
Sipas qytetarit që ka dërguar pamjet, makina drejtohet nga një adoleshent, i cili pretendohet se nuk disponon patentë, ndërsa videoja është publikuar edhe në TikTok, sikur bëhet fjalë për një “sfidë” apo krenari.
Në pamje shihet automjeti duke lëvizur me shpejtësi shumë të lartë gjatë natës në zonën e Lungomares, ndërsa drejtuesi filmon timonin dhe rrugën para tij, pa asnjë shqetësim për pasojat që mund të sillte një manovër e gabuar.
Pamjet janë alarmante, sidomos në një zonë si Lungomarja, ku gjatë verës dhe mbrëmjeve qarkullojnë qindra qytetarë, familjarë dhe turistë. Një humbje kontrolli në atë shpejtësi mund të përfundonte lehtësisht në tragjedi.
Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se video të tilla po publikohen hapur në rrjetet sociale, duke nxitur kulturën e rrezikshme të “show”-t me makina, ku adoleshentë pa eksperiencë dhe pa ndërgjegje rrezikojnë jetën e të tjerëve për disa klikime në TikTok.
JOQ Albania bën thirrje që autoritetet të verifikojnë rastin dhe të marrin masa, pasi raste të tilla po shtohen çdo ditë dhe po kthehen në një kërcënim real për sigurinë rrugore në vend.
Çdo ditë raportohen aksidente tragjike nga shpejtësia, por duket se për disa të rinj kjo ende nuk mjafton për të reflektuar.