Pas ngjarjes së rëndë që tronditi mëngjesin e sotëm qytetin e Shkodrës, ku 27-vjeçari Brisildo Stankoja humbi jetën pasi dyshohet se u vetëhodh nga një pallat në lagjen “Rus”, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur mesazhe nga qytetarë të zonës që kërkojnë hetim më të thelluar të rastit.
Një qytetar, i cili shprehet se është banor i lagjes ku ndodhi ngjarja, pretendon se i riu nuk njihej nga banorët e zonës dhe sipas tij nuk ka qenë as banor i pallatit dhe as person që jetonte aty me qira.
“Jam i lagjes dhe nuk e kam parë ndonjëherë si fytyrë. 100% nuk ka qenë banor aty, as me qira. Pyesni kë të doni”, shkruan qytetari për JOQ Albania.
Ai ngre gjithashtu dyshime mbi mënyrën si u menaxhua vendngjarja, duke pretenduar se shiritat e sigurisë janë hequr shumë shpejt nga policia, ndërsa në zonë mungojnë kamerat e sigurisë.
“Kjo situatë duket shumë e dyshimtë dhe nuk duhet të mbyllet kaq lehtë. Ju lutem të bëhen hetime të thella”, thuhet më tej në mesazh.
JOQ Albania thekson se këto pretendime mbeten deklarime të një qytetari dhe nuk ka deri tani asnjë konfirmim zyrtar që hedh dyshime mbi versionin paraprak të ngjarjes.
Policia ka bërë me dije se 27-vjeçari dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga lartësia, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Megjithatë, qytetarët kërkojnë që çdo pistë të verifikohet me kujdes, në mënyrë që të mos mbeten pikëpyetje mbi një ngjarje kaq të rëndë që tronditi qytetin.