Katër shtetas shqiptarë, mes tyre edhe një çift, kanë rënë në prangat e policisë italiane gjatë një operacioni të gjerë kundër një grupi të dyshuar për vjedhje të shumta në Itali.
Të arrestuarit janë dy burra të moshës 25 dhe 35 vjeç, si dhe një çift 52 dhe 33 vjeç. Aksioni është zhvilluar nga Policia e Milanos, ndërsa kontrollet dhe bastisjet janë shtrirë në rajonet e Lombardisë dhe Marche. Hetimet po koordinohen nga Prokuroria e Pesaros.
Sipas autoriteteve italiane, një person i pestë, i lidhur me dy të rinjtë e arrestuar dhe që dyshohet se është larguar drejt Shqipërisë, është shpallur në kërkim.
Tre prej të dyshuarve akuzohen për një seri vjedhjesh në banesa dhe për posedim të sendeve të vjedhura, ngjarje të ndodhura gjatë periudhës shkurt-prill 2026. Dy prej tyre u arrestuan në banesat e tyre në Vimodrone dhe Pioltello, në zonën e Milanos.
Gjatë hetimeve, policia identifikoi edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë shqiptarë, 52 dhe 33 vjeç, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në grabitje të tjera në veri të Italisë gjatë muajit prill. Ata u lokalizuan në Melzo, pranë Milanos.
Autoritetet italiane kanë ekzekutuar gjithashtu urdhra burgimi për dy nga të arrestuarit, të cilët kishin për të shlyer dënime të mbetura mbi pesë dhe tre vite burg.
Hetuesit zbuluan edhe një garazh nëntokësor në provincën e Milanos, i cili dyshohet se përdorej si bazë operative nga grupi kriminal.
Sipas mediave italiane, përfshirë RAI, banda lëvizte me automjete të fuqishme me targa të klonuara dhe përdorte shpejtësi të lartë për t’i shpëtuar kontrolleve policore.
Gjatë operacionit, policia kontrolloi disa banesa dhe sekuestroi para cash, bizhuteri, ora luksoze dhe pajisje të përdorura për vjedhje me thyerje.