Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri “Për kinematografinë dhe audiovizualin”, i cili synon të reformojë mënyrën e financimit të industrisë së filmit në Shqipëri dhe të tërheqë më shumë prodhime vendase dhe të huaja. Sipas draftit, do të krijohet Agjencia Kombëtare e Kinematografisë dhe Audiovizualit, e cila do të administrojë fondet publike, do të kontrollojë shpenzimet dhe do të menaxhojë skemat e mbështetjes për produksionet filmike dhe audiovizuale në vend.
Një nga pikat kryesore të projektligjit është skema “Cash Rebate”, përmes së cilës shteti do të rimbursojë 35% të shpenzimeve të kualifikuara të realizuara brenda territorit shqiptar nga produksionet filmike dhe audiovizuale. Afatet e shqyrtimit parashikojnë që Komisioni Shqiptar i Filmit të vlerësojë aplikimet brenda 45 ditëve, ndërsa Komisioni Financiar i AKKA-së do të certifikojë shpenzimet brenda 60 ditëve. Pagesat nga Ministria e Financave pritet të kryhen brenda 90 ditëve nga certifikimi përfundimtar, duke synuar një proces më të shpejtë dhe më transparent për industrinë.
Drafti parashikon gjithashtu krijimin e një fondi të posaçëm për sektorin audiovizual, i cili do të financohet nga vetë industria. Konkretisht, 5% e tatimit mbi fitimin nga televizionet, platformat online dhe kinematë do të kalojë në këtë fond, po aq edhe 5% nga kompanitë e internetit, ndërsa operatorët e komunikimeve elektronike do të kontribuojnë me 2%. Skema e re zgjeron mbështetjen edhe për seriale, dokumentarë, animacione, projekte VR dhe AR, post-produksion, bashkëprodhime ndërkombëtare dhe madje edhe video-lojëra, me synimin që Shqipëria të kthehet në një qendër më atraktive për industrinë kreative.