Nëse dikush mendonte se rrugët e Durrësit nuk mund të degradoheshin më shumë, pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania duket se tregojnë të kundërtën.
Një qytetar ka dërguar një video ku shihet një automjet që ka përfunduar brenda një pusetë në mes të rrugës në Durrës, në një situatë që ngjan më shumë me skena nga vendet e braktisura sesa nga qyteti kryesor turistik i Shqipërisë.
Në pamjet filmike, automjeti shihet i bllokuar me njërën pjesë të rrotave të fundosura në pusetë, ndërsa qytetarë të shumtë afrohen pranë për të parë çfarë ka ndodhur.
Videoja është regjistruar gjatë mbrëmjes dhe tregon qartë gjendjen problematike të infrastrukturës, në një qytet që pak javë më parë u “lye” me propagandë për sezonin turistik.
Mesa duket, në Durrës nuk mjafton më vetëm të shmangësh gropat. Tani qytetarët duhet të kenë frikë edhe mos makina u përfundon në ndonjë pusetë të hapur.
Dhe kjo nuk është hera e parë që denoncohet gjendja skandaloze e rrugëve në qytet. Vetëm pak ditë më parë, JOQ Albania publikoi pamje nga aksi kryesor drejt Currilave, një nga zonat më të frekuentuara turistike të Durrësit, ku rruga ishte e mbushur me gropa nga fillimi në fund.
Drejtuesit e mjeteve detyroheshin të bënin zig-zage për të shmangur dëmtimet, ndërsa turistët përballeshin me një panoramë që s’ka lidhje me një destinacion turistik europian.
Por duket se Bashkia e Durrësit dhe kryebashkiakja Emiriana Sako kanë prioritete të tjera. Ndërkohë që qyteti fundoset në gropa, pusetat hapen si kurthe dhe qytetarët rrezikojnë makinat çdo ditë, propaganda vazhdon sikur gjithçka është në rregull.
Ironia më e madhe? Kjo ndodh në prag të sezonit veror, në qytetin që pret mijëra turistë çdo ditë. Në vend të rrugëve normale, Durrësi po u ofron turistëve “adrenalinë falas”: një kombinim perfekt mes gropave, pusetave dhe amortizatorëve të shkatërruar.
“Makina bie në pusetë, rrugët e parregulluara, Durrës”, shprehet qytetari që dërgoi videon.