Punimet masive në Kodrën e Mifolit vijojnë pa asnjë ndalesë, ndërsa mjetet e rënda punojnë çdo ditë duke transformuar në mënyrë drastike të gjithë zonën. Pamjet dhe denoncimet e banorëve tregojnë një situatë alarmante, ku dita-ditës një pjesë e kodrës po zhduket përballë syve të tyre.
Prej muajsh banorët kanë denoncuar në redaksinë e JOQ Albania, duke ngritur shqetësimin për shkatërrimin e zonës dhe dëmtimin e pronave. Megjithatë, pavarësisht publikimeve dhe reagimeve të shumta, situata vazhdon po njësoj, ndërsa punimet nuk janë ndalur në asnjë moment.
Sipas banorëve, ndërhyrja ka dalë jashtë çdo kontrolli. Ata shprehen se përveç dëmtimit të relievit natyror, punimet kanë prekur edhe prona private, toka bujqësore dhe sipërfaqe që përdoren prej vitesh nga familjet e zonës. Zhurma e vazhdueshme, lëvizjet e mëdha të dheut dhe qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë po krijojnë pasiguri dhe shqetësim të madh tek komuniteti.
Edhe pse shqetësimi është bërë publik prej kohësh dhe denoncimet kanë qenë të vazhdueshme, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim transparent nga institucionet përgjegjëse. Heshtja e tyre ka shtuar zemërimin e banorëve, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe verifikim të plotë të asaj që po ndodh në Kodrën e Mifolit.
Banorët paralajmërojnë se nëse situata vazhdon me këto ritme, dëmet në mjedis dhe prona do të jenë të pakthyeshme, ndërsa një nga zonat më të njohura të Mifolit po humbet çdo ditë e më shumë nga pamja e saj natyrore.