Një qytetar nga Peja e Kosovës i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që e konsideron mashtrim nga një shitës automjetesh në Gjirokastër.
Sipas denoncuesit, ai kishte parë në platformën “MerrJep.al” një makinë elektrike tip BYD Seagull, prodhim i vitit 2023, për të cilën pretendon se shitësi e kishte siguruar vazhdimisht se ishte “në gjendje perfekte” dhe “si e re”.
Qytetari tregon se, pas marrëveshjes për çmimin, është nisur nga Peja drejt Gjirokastrës, duke përshkuar rreth 500 kilometra për të parë nga afër automjetin.
Por sipas tij, sapo mbërriti në vend, konstatoi se makina kishte dëmtime të shumta nga breshëri, me gropa të dukshme në tavan, gjë që sipas denoncuesit nuk i ishte bërë e ditur më parë.
Qytetari ka dërguar në redaksinë tonë edhe bisedat që pretendon se ka zhvilluar me shitësin, ku diskutohet mbi gjendjen e mjetit dhe dëmtimet e pretenduara.
Edhe pse në bisedën e dërguar shitësi thotë se nuk kishte dijeni për gropat, denoncuesi këmbëngul se ato ishin aq të dukshme sa nuk mund të anashkaloheshin.
Denoncimi i plotë i qytetarit nga Peja:
“Kam parë një veturë BYD Seagull elektrike në MerrJep.al dhe personi më tha se vetura është perfekte në gjendje dhe në dukje. Më tha hajde nga Peja dhe u dakorduam për çmimin. Kam bërë afër 500 km për të ardhur në Gjirokastër, por kur erdha këtu, vetura ishte komplet e dëmtuar nga breshëri. Në telefon më thoshte që është si e re, pa asnjë problem.”
