Panik dhe momente tensioni janë regjistruar në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në Athinë, pasi një avion Airbus A321 i kompanisë Lufthansa, me 177 pasagjerë dhe 7 anëtarë ekuipazhi në bord, u detyrua të kryente ulje emergjente për shkak të një defekti teknik.
Avioni, që kryente fluturimin LH1753 drejt Mynihut, ishte nisur nga Athina në orën 18:19. Vetëm pak minuta pas ngritjes, pilotët njoftuan pasagjerët se duhej të ktheheshin menjëherë në aeroport për arsye sigurie.
Sipas mediave greke, problemi teknik u konstatua gjatë fluturimit dhe rreth orës 18:35 piloti kërkoi rikthim emergjent në aeroportin “Eleftherios Venizelos”.
Edhe pse ulja u realizua pa incidente, menjëherë pas ndalimit të avionit u aktivizuan procedurat e evakuimit emergjent. Stjuardesat hapën dyert, aktivizuan rrëshqitëset e emergjencës dhe u kërkuan pasagjerëve të largoheshin sa më shpejt nga kabina, pamje që janë publikuar gjerësisht nga mediat greke.
Për disa minuta në bord mbizotëroi panik dhe konfuzion, ndërsa udhëtarët përpiqeshin të dilnin me shpejtësi nga avioni. Në pistë ndodheshin automjete zjarrfikëse dhe forca sigurie, ndërsa ekipet e emergjencës orientonin pasagjerët drejt zonave të sigurta.
Autoritetet greke bënë të ditur se të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi janë në gjendje të mirë shëndetësore, megjithëse gjatë evakuimit janë raportuar dy lëndime të lehta.
Megjithatë, ankthi për pasagjerët nuk përfundoi me kthimin në Athinë. Sipas raportimeve, ata u nisën sërish sot drejt Mynihut, por edhe gjatë këtij fluturimi pati incidente të tjera.
Fillimisht, një pasagjer i moshuar humbi ndjenjat në bord, duke bërë që ekuipazhi të shqyrtonte mundësinë e një tjetër uljeje emergjente, derisa një mjek që ndodhej në avion i dha ndihmën e parë.
Më pas, gjatë uljes në Mynih, avioni preku pothuajse pistën, por në çastet e fundit mori sërish lartësi dhe realizoi uljen vetëm disa minuta më vonë. Mediat raportojnë se në aeroportin e Mynihut janë vënë në dispozicion edhe psikologë për pasagjerët që dëshirojnë mbështetje pas përvojës traumatike.