Pas helmimit të 56 studentëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar mensën e Akademisë së Sigurisë, pasi nga kontrollet dhe analizat e kryera është konstatuar se ambientet nuk përmbushnin standardet e kërkuara të higjienës. Për pasojë, AKU vendosi shiritin e bllokimit në mensë.
Ushqimi prodhohej në ambientet e garnizonit “Skënderbej” nga kompania private “Sori-Al”, e lidhur me Alma Tafanin dhe ish-bashkëshortin e saj, biznesmenin dhe kreun e Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, ndërsa më pas transportohej me katering drejt Akademisë së Sigurisë.
Studentët konsumonin vaktet në mensën e institucionit, e cila sipas verifikimeve ka rezultuar jashtë kushteve higjieno-sanitare. Gjatë inspektimit, autoritetet bllokuan 155 kilogramë produkte ushqimore, mes tyre makarona, sallam, djathë dhe kos, si edhe 1350 kokrra vezë, të cilat janë dërguar për analiza mikrobiologjike.
Burime pranë institucionit bëjnë me dije se, pas mbylljes së mensës, kursantët pritet të zhvillojnë praktikën jashtë Akademisë, pasi aktualisht mungojnë kushtet për ushqim brenda ambienteve të saj.