Shqipëria vijon të mbajë vendin e parë në Europë për numrin e martesave në raport me popullsinë. Sipas Eurostat, në vitin 2024 u regjistruan 6.8 martesa për çdo 1 mijë banorë, shumë mbi mesataren europiane prej 3.9. Pas Shqipërisë renditen Turqia dhe Moldavia, ndërsa në rajon Serbia shënon nivelin më të ulët të martesave.
Megjithatë, edhe pse vendi kryeson në Europë, numri i martesave ka ardhur në rënie të vazhdueshme. Sipas Monitor, në vitin 2024 u regjistruan vetëm 16 mijë martesa, niveli më i ulët historik, krahasuar me rreth 29 mijë në vitin 1990. Ekspertët e lidhin këtë tendencë me emigracionin, ndryshimet sociale dhe shtyrjen e martesës në moshë më të vonë.
Në të kundërt, divorcet janë bërë gjithnjë e më të zakonshme. Gjatë vitit 2024 u regjistruan rreth 4 800 divorce, ose 2 divorce për çdo 1 mijë banorë, mbi mesataren europiane prej 1.6. Kulmi i divorceve u arrit në vitin 2019, ndërsa aktualisht Shqipëria renditet mes vendeve europiane me normat më të larta të ndarjeve.
Të dhënat tregojnë se sot afro një e treta e martesave në vend përfundon në divorc, një ndryshim i madh krahasuar me dekadat e kaluara, kur ndarjet ishin shumë më të rralla. Ndikim kanë pasur ndryshimet ekonomike, rritja e pavarësisë financiare dhe ndryshimi i mënyrës si perceptohet martesa në shoqëri.
Ndërkohë, në Europë po vihet re një trend i përgjithshëm i rënies së martesave. Italia dhe Greqia, ku jeton një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë, renditen ndër vendet me normat më të ulëta të martesave në kontinent. Sipas Eurostat, pandemia COVID-19 ndikoi ndjeshëm në uljen e martesave në të gjithë BE-në, ndërsa normat e divorceve kanë mbetur pothuajse të pandryshuara vitet e fundit.