Vlora është zhytur sërish në kaosin e mungesës së ujit të pijshëm, duke rikthyer një problem që është kthyer në simbol të dështimit total të menaxhimit të ujësjellësit dhe institucioneve vendore.
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njoftoi se shkak është bërë një avari e rëndë në tubacionin 500 pranë zonës “Kalaja”, defekt që ka sjellë stakimin e të gjitha stacioneve të ujësjellësit dhe ka lënë qytetin pa furnizim.
Edhe një herë, qytetarëve u serviret i njëjti justifikim: “grupet teknike janë në terren dhe po punojnë gjatë natës”. Një fjali që vlonjatët e kanë dëgjuar aq shpesh, sa tashmë tingëllon si tallje. Sa herë plasin tubot, sa herë qyteti mbetet pa ujë, përgjigjja është e njëjtë, ndërsa zgjidhja mungon prej vitesh.
Ky është i njëjti qytet që në dhjetor mbeti për ditë të tëra pa ujë, duke paralizuar jetën e mijëra familjeve dhe bizneseve. Atëherë pati premtime, deklarata dhe justifikime. Sot, pas pak muajsh, historia përsëritet njësoj, çka tregon qartë se asgjë nuk është bërë për të shmangur kolapsin e rradhës.
Drejtori i ujësjellësit, Klevis Kaso, vijon të dalë vetëm me njoftime rutinë, sikur ndërprerja e ujit në një qytet të tërë të ishte një gjë krejt normale. Asnjë zgjidhje konkrete, asnjë përgjegjësi e qartë, vetëm të njëjtat deklarata që përsëriten sa herë qyteti mbetet pa furnizim.
Ndërkohë, mungesa e ujit duket se është kthyer në përditshmëri për shumë familje dhe lagje në qytet, duke e bërë një problem që nuk shihet më si rast i izoluar, por si një dështim i vazhdueshëm i menaxhimit të situatës.
Pyetja që shtrojnë qytetarët është e thjeshtë: ku kanë shkuar investimet, fondet dhe premtimet për modernizimin e rrjetit? Si ka mundësi që një qytet turistik, që mbushet me vizitorë dhe reklamohet si krenaria e jugut, të mbetet peng i një tubacioni që çahet sa herë sistemi vihet në provë?
Në Vlorë nuk mungon vetëm uji. Mungon përgjegjësia. Dhe derisa askush të mos mbajë përgjegjësi për këtë dështim të përsëritur, qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë faturat, ndërsa do të jetojnë pa shërbimin më bazik: ujin.