Një vajzë shqiptare që jeton në Itali ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një rast që ajo e cilëson mashtrim, pasi pretendon se një djalë të cilin e kishte njohur në rrjetet sociale i ka marrë 320 euro me justifikimin se vëllai i tij ndodhej në emergjencë dhe kishte nevojë urgjente për ndihmë.
Sipas denoncueses, djali, i identifikuar si B. Mumajesi, jeton në Bergamo të Italisë dhe në rrjetet sociale prezantohej me pseudonimin “Bob Milano”, duke u shfaqur si person me biznese dhe jetë luksoze.
Vajza tregon se fillimisht ai i kishte kërkuar 150 euro për vëllain, duke pretenduar se kishte mbetur në rrugë. Më pas i kishte kërkuar edhe 140 euro të tjera dhe më vonë edhe 30 euro, duke arritur në total 320 euro, të cilat ajo ia ka dërguar përmes transfertës bankare.
Sipas saj, pasi mori paratë, djali e bllokoi në rrjetet sociale dhe ndërpreu çdo kontakt.
Në videon e dërguar për JOQ Albania, ajo shprehet:
“Ky çuni më kërkoi një nder për vëllain e vet. Më tha t’i bëja bonifico 130 euro dhe më pas më kërkoi prapë 150 euro dhe 50 euro sepse vëllai i vet kishte ngelur në rrugë. Pasi i bëra bonifico-n, më bëri block dhe nuk është gjëkundi. Mbahet si ‘Bobi Milano’, sikur ka lekë e biznese. Edhe më e rëndësishmja, më kërcënon. Dua vetëm të më kthejë lekët e mia mbrapsht.”
Denoncuesja pretendon gjithashtu se i riu i kishte thënë se kishte furra buke dhe pastiçeri në Tiranë dhe se do t’ia kthente shumën më të madhe, madje duke i lënë edhe 180 euro “si falënderim” për ndihmën.
Ajo shton se kishte hezituar ta denonconte më herët pasi djali i kishte premtuar se do t’ia kthente paratë, por më pas e kishte bllokuar dhe, sipas saj, edhe kërcënuar që të mos e publikonte rastin.
JOQ Albania disponon mesazhet dhe provat e transfertave bankare që denoncuesja pretendon se i ka kryer ndaj të riut. Ndërkohë, i riu ka të drejtën e reagimit dhe të japë versionin e tij mbi pretendimet e ngritura.