Dje JOQ publikoi pamjet e një qytetari që përplasi makinën te shkallët e Kryeministrisë dhe më pas goditi me shkelma derën e institucionit, në një skenë që u komentua gjerësisht në rrjet. Në video, 40-vjeçari shihej teksa refuzonte të largohej nga hyrja e godinës, ndërsa policët përpiqeshin ta qetësonin. Rasti u interpretua nga shumë qytetarë si një akt revolte dhe dëshpërimi ndaj situatës sociale dhe ekonomike në vend.
Sot, Policia e Tiranës bën me dije se ka arrestuar autorin e incidentit, shtetasin Eledion Marku, 40 vjeç, banues në Tiranë. Ai akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e së dielës pranë godinës së Kryeministrisë.
Burime policore bëjnë me dije se Marku dyshohet se vuan nga çrregullime të shëndetit mendor, ndërsa edhe gjatë deklarimeve të tij nuk ka dhënë motive të qarta mbi arsyet e veprimeve. Ngjarja ka rikthyer debatet në rrjet mbi gjendjen sociale të qytetarëve, mënyrën si trajtohen problemet e shëndetit mendor dhe raportin mes institucioneve dhe njerëzve që ndihen të pambështetur nga shteti.