Një lokal në zonën bregdetare të Radhimës është përfshirë nga flakët mbrëmjen e 8 majit, duke u shkrumbuar plotësisht dhe duke lënë pas vetëm rrënoja. Pronarët e biznesit dyshojnë se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa theksojnë se prej kohësh kanë pasur konflikte të vazhdueshme për çështje pronësie në zonë. Sipas tyre, rrethanat e ngjarjes dhe mënyra si u përhap zjarri ngrenë dyshime të forta për zjarrvënie të organizuar.
Një prej familjarëve të biznesit, Dejsi Canaj, ka deklaruar se rreth orës 21:40 kishte dëgjuar lëvizje dhe hapa pranë lokalit, ndërsa vetëm pak sekonda më vonë objekti ishte përfshirë nga flakët. Ajo ka theksuar se në momentin e incidentit lokali nuk kishte energji elektrike, pasi furnizimi ishte ndërprerë më herët, çka sipas familjarëve përjashton mundësinë e një shkëndije aksidentale dhe forcon dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa po merren në pyetje banorë të zonës dhe familjarë të biznesit. Hetuesit po analizojnë gjithashtu kamerat e sigurisë dhe pamjet filmike për të identifikuar autorin e dyshuar, i cili sipas pronarëve mund të jetë larguar në drejtim të kodrave të fshatit Radhimë menjëherë pas shpërthimit të zjarrit. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale konsiderohen totale.