Një 41-vjeçar shqiptar është arrestuar për herë të dytë në Itali, i akuzuar si pjesë e një bande që dyshohet se ka realizuar të paktën 20 grabitje në vila dhe apartamente në zonën e Ligurias.
Sipas mediave italiane, shqiptari ishte arrestuar edhe në vitin 2024, pasi u kap në flagrancë brenda banesës së një gruaje 92-vjeçare, teksa po tentonte ta grabiste. Tashmë ai ka përfunduar sërish në pranga pas hetimeve të karabinierëve të Sestri Levantes.
Autoritetet italiane dyshojnë se 41-vjeçari vepronte së bashku me dy bashkëkombës të tjerë, sipas një skeme të mirëorganizuar. Njëri prej tyre shërbente si shofer dhe parkonte makinën pranë objektivit, tjetri qëndronte si “roje” për të monitoruar lëvizjet e policisë, ndërsa personi që hynte në banesa ngjitej deri në katet e sipërme të pallateve dhe vilave për të realizuar grabitjet brenda pak minutash.
Hetimet zbuluan se grupi kishte ngritur një lloj “baze operative” në një bed & breakfast në zonën e Val Graveglia, nga ku gjatë ditës studionin banesat që konsideroheshin më të pambrojtura, ndërsa në mbrëmje kalonin në veprim.
Sipas hetuesve, grabitjet u kanë sjellë autorëve një fitim prej rreth 80 mijë eurosh, mes të cilave ora me vlerë, bizhuteri dhe madje edhe një koleksion monedhash të rralla.
Karabinierët kishin nisur prej kohësh ndjekjen e grupit, deri kur në dhjetor të vitit 2024 i kapën në flagrancë teksa hynin në banesën e 92-vjeçares në zonën e njohur si “Gjiri i Heshtjes”. Në atë rast, sendet e vjedhura iu kthyen pronarës.
Pas hetimeve, dy prej të dyshuarve janë dëbuar nga Italia me urdhër të autoriteteve gjyqësore, ndërsa 41-vjeçari shqiptar është dërguar në burg me masë sigurie të vendosur nga Gjykata e Genovës.