Një situatë shqetësuese është denoncuar nga banorët e Fushë-Arrëzit, ku mungesa e sigurisë për fëmijët po i detyron ata të marrin masa vetë për t’u mbrojtur nga makinat që lëvizin me shpejtësi në zonë.
Sipas qytetarëve, fëmijët që luajnë çdo pasdite pranë banesave kanë vendosur një stol buzë rrugës për të ngadalësuar automjetet, pasi drejtuesit e mjeteve kalojnë me shpejtësi të lartë dhe rrezikojnë jetën e tyre.
Ata shprehen të revoltuar nga mungesa e reagimit të institucioneve, ndërsa theksojnë se zona nuk ka as park lodrash dhe as fushë sportive ku të vegjlit të kalojnë kohën në siguri.
“Jemi në hall me fëmijët. Nuk kanë ku të luajnë dhe detyrohen të dalin pranë rrugës. Makinat kalojnë me shpejtësi dhe askush nuk merr masa,” shprehen banorët për JOQ.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për vendosjen e sinjalistikës, kufizuesve të shpejtësisë dhe krijimin e një ambienti të sigurt për fëmijët e zonës.