Në Sarandë, vetëm pak ditë para nisjes së sezonit turistik të verës 2026, punimet që po zhvillohen në disa segmente rrugore në qendër të qytetit po shkaktojnë bllokime të qarkullimit.
Sipas denoncimit të një qyterareje, rrugët pranë kantiereve janë bllokuar pa asnjë sinjalistikë paralajmëruese apo organizim të trafikut, duke krijuar kaos për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët.
Qytetarët shprehen se edhe pse kamionët apo betonieret bllokojnë rrugët për periudha të gjata, në rrugë mungon prezenca e Policisë Rrugore dhe çdo formë orientimi për qarkullimin.
Ata theksojnë se situata bëhet edhe më shqetësuese duke pasur parasysh se qyteti po i afrohet kulmit të sezonit turistik, kur fluksi i vizitorëve rritet ndjeshëm.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për organizimin e punimeve, vendosjen e sinjalistikës së nevojshme dhe menaxhim më të mirë të trafikut për të shmangur kaosin në qarkullim dhe dëmtimin e imazhit turistik të qytetit bregdetar Sarandë.