Më 3 maj është zhvilluar gara e pëllumbave sportivë e organizuar nga Shoqata e Pëllumbave të qarkut Korçë, ku rreth 450 pëllumba nga Korça, Tirana, Vlora dhe Berati u nisën nga Prishtina dhe përshkuan rreth 230–240 kilometra, në një aktivitet të monitoruar me sistem çipash dhe pjesë e një kampionati kombëtar. Gara, e cila prej vitesh zhvillohet si traditë sportive e konsoliduar, ka mbledhur gjithnjë e më shumë pjesëmarrës, por këtë herë është shoqëruar me një shqetësim serioz nga vetë pjesëmarrësit.
Pas përfundimit të garës, një grup pjesëmarrësish nga Korça kanë denoncuar se pëllumbat e tyre janë qëlluar nga gjuetarë gjatë kthimit në shtëpi, pavarësisht se gjuetia është e ndaluar në këtë periudhë. Sipas tyre, ky veprim ka shkaktuar humbje të konsiderueshme dhe rrezikon vazhdimësinë e sportit, duke e cilësuar situatën si të përsëritur dhe të papranueshme.
Denoncimi:
Përshëndetje JOQ, ju lutem, jemi ata çunat e Korçës që luajmë garat me pëllumba. Nëse mundeni, postojeni pak, është urgjente se na dëmtuan gjuetarët. Edhe pse gjuetia është e ndaluar në këtë kohë, ne mezi presim që pëllumbat të kthehen në shtëpi, por ata i qëllojnë. Ky është krim, nuk është gjueti, sepse pëllumbat nuk hahen; ne i kemi trajtuar me ilaçe për ato gara.