Arsenal siguron finalen e Champions League, mposht me një gol Atleticon

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.05.2026, 23:21

Arsenal është skuadra e parë finaliste e këtij sezoni në UEFA Champions League, pasi ka mposhtur Atletico Madrid me rezultatin minimal 1-0 në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në “Emirates”.

Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë në “Metropolitano”, londinezët siguruan kualifikimin falë një paraqitjeje të kujdesshme dhe një goli vendimtar në fund të pjesës së parë.

Fraksioni i parë i lojës ishte relativisht i qetë, me pak raste të pastra. Një moment i diskutueshëm erdhi në minutën e 35-të, kur Leandro Trossard u përfshi në një kontakt në zonë me Antoine Griezmann, por arbitri vendosi të vazhdojë lojën, duke mos akorduar penallti.

Goli që vendosi sfidën erdhi në minutën e 44-të: pas një aksioni të gjatë, tentativa e Trossard u ndal nga portieri Jan Oblak, por në zonë u gjend i lirë Bukayo Saka, i cili nuk gaboi dhe dërgoi topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, ritmi ra ndjeshëm dhe rastet ishin më të pakta. Në minutën e 51-të, Giuliano Simeone pretendoi për penallti pas një rrëzimi në zonë, por edhe këtë herë gjyqtari nuk ndërhyri.

Arsenal ishte pranë golit të dytë në minutën e 66-të, por goditja e Viktor Gyökeres u ndal nga traversa.

Pavarësisht përpjekjeve të Diego Simeone për të ndryshuar rrjedhën e lojës me zëvendësime, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Me këtë fitore, Arsenal siguron finalen e dytë në historinë e klubit në Champions League, duke qenë tashmë vetëm një hap larg trofeut më të rëndësishëm europian për klube.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit