Dalin pamjet: Sekondat para aksidentit tragjik, Radaçi po lëvizte me shpejtësi të lartë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.05.2026, 23:03

Pamje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik i ndodhur në rrugën “Ohri”, në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Videoja e siguruar nga kamerat e sigurisë tregon mjetin tip “Benz ML”, të drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi, vetëm pak sekonda përpara përplasjes fatale, duke lëvizur me shpejtësi të lartë.

Me sy të lirë, mund të kuptohet se mjeti përshkon një distancë prej rreth 20-25 metrash në vetëm 1 sekondë, çka përkthehet në një shpejtësi të përafërt prej 70 deri në 90 km/h.

Një shifër tronditëse, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një rrugë të ngushtë lagjeje, ku kufiri i sigurisë duhet të jetë maksimalisht 20-30 km/h.

Në pamje dallohet qartë se zona është e banuar, me banesa pranë rrugës dhe pa infrastrukturë të sigurt për këmbësorët. Në këto kushte, një shpejtësi e tillë kthehet në një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 maj 2026, kur mjeti doli nga kontrolli dhe përplasi disa fëmijë që ndodheshin në trotuar.

Bilanci ishte shkatërrues: dy të mitur, të moshave rreth 9-12 vjeç, humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur dhe u dërgua te Trauma (fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën).

Sipas të dhënave, drejtuesi i mjetit rezultoi në gjendje të rëndë të dehur në momentin e aksidentit.

Policia ka bërë me dije se Nikoll Radaçit i ishte pezulluar leja e drejtimit edhe më parë, në vitet 2020 dhe 2022, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Pas aksidentit, ai u largua nga vendi i ngjarjes, por u kap disa minuta më vonë nga efektivët.

Para gjykatës, ai është lënë në masën “arrest me burg”, ndërsa mësohet se ka deklaruar se “nuk mban mend asgjë” dhe se “mori në qafë fëmijët”.

Pamjet e publikuara janë një dëshmi e qartë dhe e dhimbshme: në vetëm pak sekonda, një kombinim i shpejtësisë së lartë dhe papërgjegjshmërisë në timon mund të shuajë jetë të pafajshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit