Kur të soset durimi: I riu shpik “hakmarrjen akustike” ndaj komshiut të zhurmshëm

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.05.2026, 20:50

Të gjithë e njohim atë ndjesinë: sapo të zë gjumi, komshiu i katit të sipërm fillon të zhvendosë mobiliet, të ecë me taka, ose fëmijët vendosin të organizojnë maratonën e radhës… pikërisht mbi kokën tënde.

Në Shqipëri, zgjidhja zakonisht luhatet mes trokitjes me bisht fshese në tavan dhe ndonjë debati në shkallët e pallatit. Por një i ri nga Kina ka vendosur ta çojë këtë “konflikt klasik” në një nivel krejt tjetër.

I lodhur nga zhurmat e vazhdueshme, ai nuk ka zgjedhur derën e komshiut, por kreativitetin. Ka shpikur një pajisje të thjeshtë, por gjeniale në mënyrën e vet: një shufër elastike me një top plastik në majë, e lidhur me një motor të vogël, që godet tavanin pa pushim.

Zhurmë për zhurmë. Matematikë e pastër.

Pajisja kontrollohet me pult dhe furnizohet me energji përmes USB-së, duke krijuar një goditje ritmike konstante. Për atë poshtë është një “kundërpërgjigje teknologjike”, për atë lart… një test nervash pa afat.

“Nuk besoj se ai di gjë për të drejtat e komshisë,” – shkruan një komentues online. Por kur durimi shteron, duket se ligji i vetëm që funksionon është ai i barazimit të llogarive.

Në një realitet ku izolimi akustik në pallate shpesh është luks dhe jo standard, kjo shpikje po bën xhiron e rrjeteve sociale. Pyetja është e thjeshtë:

A do ta përdornit një “armë” të tillë për komshiun që nuk kupton me fjalë… apo do t’i qëndronit besnik metodës tradicionale me “Oreeee, mjaft!” nga ballkoni?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit