Shqipëria në “shënjestër” të ndërkombëtarëve për paratë e pista

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.05.2026, 20:22

Shqipëria është vendosur zyrtarisht nën një raund të ri shqyrtimi të rreptë ndërkombëtar, ndërsa një delegacion i fuqishëm i Këshillit të Europës ka mbyllur një mision intensiv në terren. Ekspertët e Moneyval kanë "zbarkuar" në Tiranë për të vlerësuar me imtësi sistemin e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke vënë në lëvizje të gjithë mekanizmin shtetëror dhe sektorin privat.

Gjatë misionit dyjavor, që u shtri nga 14 deri më 24 prill 2026, ekipi vlerësues ka kaluar në "sitë" efektivitetin e institucioneve shqiptare në zbatimin e standardeve globale. Pjesë e këtij skanimi nuk kanë qenë vetëm agjencitë ligjzbatuese dhe ministritë, por edhe sektorë kyç si bankat, noterët, agjentët e pasurive të paluajtshme dhe kazinotë, të cilët janë përballur me pyetjet e drejtpërdrejta të ekspertëve të huaj mbi kontrollin e kapitaleve të dyshimta.

Në nisje të këtij procesi, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu konfirmoi angazhimin e lartë politik për forcimin e kuadrit ligjor, por verdikti final pritet të jepet vetëm në fund të vitit. Ky vlerësim konsiderohet kritik për Shqipërinë, pasi raporti që do të miratohet në dhjetor 2026 do të përcaktojë reputacionin financiar të vendit në arenën ndërkombëtare dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në besimin e investitorëve të huaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit