Kryeministri Edi Rama ka veshur sërish mantelin e rëndë të gjeopolitikës, duke reaguar me një vendosmëri që do ta kishte zili edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Ai ka dënuar ashpër sulmet e Iran ndaj Emiratet e Bashkuara Arabe, duke kërkuar që Teherani të mbahet përgjegjës për çdo raketë të shkrepur.
Në këtë analizë të detajuar, Rama nuk shfaqet thjesht si kryeministri i një vendi të vogël ballkanik, por si një “Komandant i Paqes Universale”. Një qëndrim i qartë, i prerë dhe pa ekuivok… sidomos kur objektivi është mijëra kilometra larg dhe nuk kërkon legalizime pronash apo rritje pensionesh.
Në Lindjen e Mesme: Rama kërkon llogaridhënie për “raketat dhe frikësimin”.
Në Shqipëri: “Raketat” janë muret e shtëpive që shemben për projekte që askush nuk i shpjegon, ndërsa “frikësimi” është gjuha e policisë ndaj të moshuarve që kërkojnë të drejtën e tyre.
Rama shprehet:
“Ata që kërkojnë të terrorizojnë kombet e lira… duhet të dinë se akte të tilla vetëm sa thellojnë izolimin e tyre.”
Është vërtet domethënëse të shohësh se si shqetësimi për izolimin e Teheranit tingëllon më i artikuluar se shqetësimi për izolimin e fshatrave shqiptare që mbeten pa rrugë e pa drita sa herë që bie shi.
Duket se “standardi universal” i Ramës ka një filtër të veçantë: funksionon në 4K kur sheh drejt Abu Dhabit, por kalon në “bardhezi” kur duhet të fokusohet te konfliktet e pronave në bregdetin shqiptar.
Ndërsa Shqipëria zvarritet mes plagëve të vjetra dhe një mosbesimi kronik ndaj institucioneve, “lideri global” duket se e ka gjetur qetësinë te hartat e mëdha.
Sepse, le të jemi të sinqertë: kur ke zgjidhur çdo problem në shtëpi, kur pensionisti shqiptar nuk di ku t’i çojë paratë e tepërta dhe kur drejtësia funksionon si orë zvicerane, hapi i vetëm logjik është… shpëtimi i planetit.