Një hetim i Autoritetit të Konkurrencës ka ngritur akuza serioze mbi mënyrën se si disa banka në Shqipëri kanë funksionuar në tregun e sigurimeve të lidhura me kreditë, duke krijuar dyshime të forta për mungesë transparence dhe kufizim të konkurrencës në dëm të qytetarëve.

Në qendër të vëmendjes është Raiffeisen Bank, e cila sipas gjetjeve të Autoritetit, ka aplikuar komisione ndërmjetësimi që arrijnë deri në 50% të vlerës së politikave së sigurimit për kreditë konsumatore. Në krahasim me praktikat e tregut, bankat e tjera aplikojnë zakonisht rreth 25%, duke e bërë diferencën e Raiffeisen objekt kritikash për barrën e lartë financiare që u vendoset klientëve.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se niveli i këtyre komisioneve ngre “dyshime serioze” për shfrytëzim të pozitës dominuese dhe për dëm të drejtpërdrejtë ndaj konsumatorit, të cilët në shumë raste nuk kanë pasur zgjedhje reale për alternativat e sigurimit.
Sipas hetimit, situata rëndohet edhe më shumë nga një marrëveshje ekskluzive mes Raiffeisen Bank dhe shoqërisë Sigal Life, ku klientët e kredive konsumatore orientoheshin praktikisht drejt kësaj kompanie sigurimesh. Ky konfigurim, sipas Konkurrencës, krijon një strukturë të mbyllur tregu, që kufizon konkurrencën dhe redukton lirinë e zgjedhjes së konsumatorit.
Në këtë skemë, banka ka vepruar edhe si ndërmjetës (broker), duke përfituar një pjesë të konsiderueshme të politikës së sigurimit, ndërsa barra financiare mbetej te qytetarët, të cilët përballeshin me kosto shtesë shpesh të padukshme në momentin e marrjes së kredisë.

Autoriteti vlerëson se kjo praktikë ka krijuar një efekt të qartë orientimi të klientëve drejt një kompanie të vetme sigurimi, duke ngritur shqetësime për mungesë realiteti konkurrues në treg.
Pavarësisht këtyre konstatimeve, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka vendosur masa ndëshkuese financiare ndaj Raiffeisen. Në vend të gjobave, është urdhëruar një paketë masash korrigjuese, përfshirë detyrimin që banka të ofrojë një formular të unifikuar me të gjitha opsionet e shoqërive të sigurimit, duke i dhënë klientit zgjedhje të drejtpërdrejtë.
Gjithashtu, është kërkuar ndryshimi i kontratave standarde të kredisë, në mënyrë që qytetarët të kenë të drejtën të zgjedhin lirisht çdo kompani sigurimi të licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Hetimi nuk ndalet vetëm te Raiffeisen. Autoriteti i Konkurrencës ka evidentuar se edhe banka të tjera, si UBA Bank dhe Union Bank, kanë aplikuar modele të ngjashme të mbyllura bashkëpunimi me kompani sigurimi, duke ngritur shqetësime për praktika të përhapura në treg.
Megjithatë, as për këto raste nuk janë vendosur gjoba, por vetëm ndërhyrje administrative për ndalimin e marrëveshjeve ekskluzive dhe ndryshimin e praktikave që kufizojnë konkurrencën.
Në thelb, raporti i Konkurrencës lë të kuptohet një problem më i gjerë sistemik: një treg ku konsumatori shpesh nuk zgjedh lirshëm, por orientohet përmes strukturave të fshehta komisionesh dhe marrëveshjesh, duke ngritur pikëpyetje serioze për transparencën dhe funksionimin real të konkurrencës në sektorin bankar.