Balliu përplaset me “sheikun” e drejtësisë: Pazaret e darkave me Edi Ramën i bëni ju!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.05.2026, 01:32

Një tjetër përplasje ka shpërthyer brenda kampit demokrat, këtë herë mes Alesia Balliut dhe deputetit të Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ku akuzat kanë kaluar nga politika te “biografia” dhe anasjelltas.

Shkak u bë deklarata e Gjonit, i cili pretendoi se Balliu është e punësuar në administratë, një arsye që sipas tij e nxjerr jashtë gare për kreun e PD. Por përgjigjja nuk vonoi.

Balliu i kërkoi publikisht prova, duke e sfiduar të paraqesë qoftë edhe një dokument të vetëm që vërteton atë që thotë, ndërsa e cilësoi si zëdhënës të “korrupsionit gjyqësor”.

Në reagimin e saj në rrjetet sociale, ajo shkruan:

“Klika anti-SPAK dhe anti-SHBA që ka uzurpuar Partinë Demokratike ka nxjerrë si zëdhënës të korrupsionit gjyqësor Gjin Gjonin, nën direktivat e Sali Frikacakut, për të më sulmuar me shpifje. Familja ime dhe unë ia kemi kushtuar gjithë jetën Partisë Demokratike. Në asnjë moment nuk kam qenë pjesë e administratës shtetërore dhe e sfidoj publikisht ish-gjyqtarin e korruptuar të Sali Frikacakut të më paraqesë qoftë edhe një dokument të vetëm që provon se unë, Alesia Balliu, kam qenë e punësuar në shtet.”

Ajo shkon edhe më tej me akuzat, duke shtuar:

“Rrogat prej 5 mijë eurosh që merrni dhe pazaret e darkave i bëni ju me Edi Ramën.”

Por përtej këtij debati, ajo që bie më shumë në sy është rikthimi i Gjin Gjoni në një rol të njohur: ai i arbitrit moral.

Një rol që, për shumëkënd, tingëllon disi ironik.

I njohur prej vitesh si “sheiku i drejtësisë”, Gjoni ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për pasurinë e tij të konsiderueshme, nga vila dhe prona deri tek një rrjet i gjerë huadhëniesh me shifra që nuk janë aspak modeste.

Pra, nga njëra anë kemi një debat për një vend pune të pretenduar në administratë.

Nga ana tjetër, një figurë që është përmendur jo pak herë në publik për miliona euro pasuri dhe histori që kanë ngritur më shumë pikëpyetje sesa përgjigje.

Dhe pikërisht këtu fillon edhe ironia: në një vend ku pyetjet për milionat shpesh mbeten pezull, debati politik ndizet për… një vend pune.

Ndërkohë, Balliu ka hedhur akuza të forta edhe ndaj Sali Berisha, duke e akuzuar për kontroll të partisë dhe lidhje kriminale, akuza që mbeten në nivel përplasjeje politike.

Aplikimi i saj për të hyrë në garë u refuzua, duke hapur një tjetër debat për kriteret dhe përjashtimet brenda Partisë Demokratike.

Në fund, historia duket e njohur: në politikën shqiptare, nuk ka shumë rëndësi kush ka të drejtë… rëndësi ka kush del i pari të japë leksione.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit