Një incident i rëndë është raportuar sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku një zjarr i madh ka shpërthyer në një zonë të rëndësishme nafte në Fujairah, mes akuzave për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani me raketa dhe dronë.
Sipas autoriteteve të Emirateve, zjarri ka shpërthyer në zonën industriale të naftës në Fujairah pas një sulmi me dron, ndërsa ekipet e emergjencës janë angazhuar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve ka deklaruar se janë identifikuar disa raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të vendit. Sipas raportimeve, shumica e tyre janë interceptuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa njëra ka rënë në det.
Raportimet ndërkombëtare bëjnë me dije se ky është një nga incidentet më serioze të javëve të fundit në rajon, duke rritur tensionet në Gjirin Persik. Autoritetet në Fujairah konfirmuan se zjarri lidhet me një sulm me dron që dyshohet se ka origjinë iraniane, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Teherani.
Ndërkohë, sipas burimeve të tjera, nga sulmet janë raportuar edhe të plagosur, përfshirë disa punëtorë të huaj, çka e bën situatën edhe më të rëndë.
Ky zhvillim vjen në një moment kur rajoni ndodhet në një situatë të brishtë pas një armëpushimi të arritur pak javë më parë. Sulmet e fundit konsiderohen si shkelje e këtij armëpushimi dhe kanë ngritur frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit.
Fujairah është një nga pikat më strategjike për eksportin e naftës në botë, dhe çdo goditje ndaj këtij porti ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë dhe sigurinë ndërkombëtare.
Situata mbetet në zhvillim, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve në një nga zonat më të ndjeshme të globit.