Plakja e popullsisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, po shndërrohet vit pas viti në një nga sfidat më të mprehta sociale dhe ekonomike të rajonit.
Një raport i fundit i Bankës Botërore vë theksin te nevoja në rritje për shërbime të kujdesit afatgjatë, në një kontekst ku vendet e rajonit po i afrohen gjithnjë e më shumë fenomenit të “superplakjes”.
Sipas raportit, kërkesa për kujdes afatgjatë është tashmë e lartë dhe pritet të rritet me shpejtësi, ndërsa përqindja e të moshuarve në popullsi vazhdon të shtohet.
Ky lloj kujdesi përfshin mbështetje dhe shërbime për personat që, për shkak të kufizimeve fizike ose mendore afatgjata, kanë nevojë për ndihmë në aktivitetet e përditshme ose për kujdes të vazhdueshëm, me përkufizime që ndryshojnë sipas vendeve dhe institucioneve.
Të dhënat e raportit tregojnë një situatë shqetësuese: rreth 16% e personave mbi 65 vjeç raportojnë vështirësi serioze në kryerjen e aktiviteteve bazë të përditshme, ndërsa rreth 32% të tjerë përballen me vështirësi të pjesshme.
Aktualisht, të moshuarit përbëjnë rreth 9% deri në 19% të popullsisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, por pritet që kjo përqindje të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme.
Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia mund të klasifikohen si vende “super të plakura”, me mbi 20% të popullsisë mbi 65 vjeç, ndërsa deri në vitin 2050 të njëjtin trend pritet ta ndjekin edhe Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Pavarësisht këtij zhvillimi, sistemet e kujdesit afatgjatë në rajon mbeten të kufizuara dhe të pamjaftueshme, duke e bërë familjen mbështetësin kryesor të të moshuarve.
Raporti thekson se vetëm një pjesë e vogël e të moshuarve përfitojnë shërbime të financuara publikisht, një nivel dukshëm më i ulët krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.
Ndërkohë, mbështetja publike vijon të fokusohet kryesisht në kujdesin rezidencial dhe pagesat për kujdestarët informalë, ndërsa shërbimet në shtëpi dhe ato me bazë komunitare mbeten të zhvilluara dobët dhe shpesh varen nga donatorët apo organizatat jofitimprurëse, pa u integruar në mënyrë të qëndrueshme në sistemet publike.